Kronike
Konflikti për një borxh degradon në përdorimin e thikës, 46-vjeçari shqiptar plagos rëndë dy vëllezër

Një konflikt mes tre shqiptarësh ka degraduar në përdorimin e thikës dhe plagosjen e dy prej tyre, ku njëri është në gjendje kritike. Sipas informacioneve të mediave greke një 46-vjeçar akuzohet se ka sulmuar me dy thika pasditen e 2 marsit dy vëllezërit të moshës 37 dhe 41 vjeç, duke iu shkaktuar plagë të shumta me thikë në shpinë.
Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e dy vëllezërve të plagosur, në Surbani, ku fillimisht ka pasur një debat mes të plagosurit dhe autorit të dyshuar. Lidhur me motivet e sulmit, në dëshminë e tij i pandehuri pretendon se 37-vjeçari dhe 41-vjeçari i kishin borxh dhe se kishin mosmarrëveshje financiare, ndërsa pretendon se dy vëllezërit e goditën dhe se ai është detyruar të vetëmbrohet.
Autori u arrestua nga efektivët e Policisë Varda në orët e para të datës 3 mars dhe ditën e martë më datë 4 mars u dërgua në Prokurorinë e Shkallës së Parë Ilia, në selinë paralele të Amaliadës, ku nisi procedimi ndaj tij për një vepër penale dhe dy kundërvajtje.
Ai përballet me akuzën e vrasjes me dashje në tentativë, në gjendje të qetë mendore dhe armëmbajtje pa leje. Më pas ai është dërguar në Gjykatën Hetimore Ilia, ku në datën 6 mars do të mbahet seanca gjyqësore në ngarkim të tij.

