Aktualitet
Kontrolle në Durrës, arrestohen 5 drejtues mjetesh
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia Rrugore vijon kontrollet intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Kontrollet e shtuara kanë për qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve të shtuara, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore:
-janë arrestuar 5 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”;
-janë pezulluar në total, 27 leje drejtimi, nga të cilat 23 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 4 për drejtim të mjetit, nën efektin e alkoolit.
Kontrollet vijojnë në çdo aks rrugor.
Policia Rrugore e Durrësit apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtimin e mjetit, nën efektin e alkoolit. Ftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke iu garantuar reagim të shpejtë.