Bota
Koreja e Veriut do të rihapet për turizmin pas pesë vitesh
Koreja e Veriut do të rihapë një qytet për turistët e huaj në dhjetor pas gati pesë vitesh mbyllje të kufijve për shkak të pandemisë Covid-19, sipas operatorëve turistikë.
Të paktën dy operatorë me bazë në Kinë njoftuan se së shpejti turistët do të lejohen të vizitojnë qytetin malor verior të Samjiyon.
“Deri më tani vetëm Samjiyon është konfirmuar zyrtarisht, por ne mendojmë se Pheniani dhe vendet e tjera do të hapen gjithashtu“, njoftoi KTG Tours e Shenyang.
Koreja e Veriut e izoluar u mbyll në fillimin e pandemisë në fillim të vitit 2020 dhe filloi të zvogëlojë kufizimet vetëm në mesin e vitit të kaluar.Mbyllja e kufijve ndërpreu gjithashtu importet e mallrave thelbësore, duke çuar në mungesa ushqimore që u përkeqësuan nga sanksionet ndërkombëtare për shkak të programit bërthamor të vendit.