Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Kosnett: SHBA-ve më në fund i ka humbur durimi me Serbinë

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe ngjarjet fatale të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Top diplomati ka theksuar se “politikanët etnonacionalistë” në të dy anët e kufirit, kanë fituar zgjedhjet duke udhëhequr “fushata populiste” me premtime për të vendosur kontroll të plotë mbi të gjithë Kosovën ose për të krijuar një “enklavë etnike” të serbëve atje, ku ata mund të injorojnë ligjet e vendit, me kusht që të tregojnë “besnikëri skllavëruese” ndaj Serbisë.

Ish-ambasadori Philip Kosnett, ka thënë se “Uashingtonit dhe aleatëve të tij më në fund i ka mbaruar durimi me Beogradin” dhe presidentin nacionalist serb Aleksandër Vuçiç, posaçërisht pas sulmit terrorist nën udhëheqjen e kriminelit serb të sanksionuar nga SHBA-të Millan Radoiçiç dhe dislokimit të forcave ushtarake serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovës.

Detyrë parësore pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës, sipas ish-ambasadorit amerikan, duhet të jetë “rimendimi” i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të. Ai ka vlerësuar që nëse BE-ja dhe SHBA-të duan ta “shesin” ndonjë version të këtij mekanizmi, do t’u duhet të jenë bindës se asociacioni nuk do të kërcënojë Kosovën.

“Kosovarët kanë frikë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të përbëjë një kërcënim të brendshëm të sigurisë dhe të parashikojë ndarje de facto. Shumë e krahasojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me Republikën Srpska ultranacionaliste të Bosnjë-Hercegovinës”, ka kujtuar ndër të tjera Kosnett.

Advertisement