Connect with us

Kosova

Kosova 2023/ Merre ose lëre

Pritjet e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak, për një marrëveshje brenda pjesës së parë të këtij viti duket të jenë pak realiste bazuar në gjithë problemet që e kanë shoqëruar procesin e negociatave përgjatë vitit 2022 dhe tensionimin e madh të raporteve Kosovë-Serbi përgjatë pjesës së dytë të vitit 2022 që kishte edhe potencial për eskalim.

Edhe përkundër largimit të barrikadave dhe qetësimit të gjendjes në veri të Republikës së Kosovës, nga Bashkimi Evropian ende nuk kanë ndonjë datë për rifillimin e dialogut.

“Kur të shihet e përshtatshme” – ishte e vetmja fjali e deklaruar nga zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Megjithatë emisarin sllovak Lajcak e presin shumë punë përgjatë vitit 2023. Një ndër çështjet më të ndërlikuara është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje të cilën me ngulm po e kërkon Serbia ndërkohë edhe presioni ndërkombëtar drejt Kosovës për ta themeluar atë është shumë i madh. Përballë kërkesës së Serbisë dhe presionit ndërkombëtar është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe e kaluara e tij prej opozitari e ndërtuar mbi një kundërshtim të vazhdueshëm dhe të fuqishëm kundër Asociacionit të cilin Vetëvendosje e ka emëruar edhe si “Zajednica”.

Çështje tjetër që do ta rëndojë “folderin” e Miroslav Lajcak është edhe çështja e targave, për të cilën është arritur një marrëveshje në Bruksel megjithatë ende s’është definuar problematika.Synimin për një marrëveshje të shpejt që po e përkrah edhe Franca e Gjermania do ta pengojë edhe situata brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, marrë parasysh largimin masiv të serbëve nga sistemi i drejtësisë, Qeveria dhe niveli lokal.

Pavarësisht gjithë këtyre problemeve, me qëllim rinisjen e dialogut dhe kthimit të Kosovës dhe Serbisë në tryezë, përgjatë këtij muaji në Prishtinë e Beograd pritet që të zbarkojnë këshilltarët kryesorë të Scholz dhe Macron.Ndërkohë në Prishtinë pritet që të vijë edhe një nga njerëzit e afërt të Sekretarit Amerikanë të Shtetit. Synimi i Brukelit dhe Washingtonit përgjatë këtij viti duket se do të jetë bindja e Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në komunikatën e përbashkët që kanë lëshuar për çështjen e barrikadave kanë theksuar se të gjitha detyrimet që janë marrë në kuadër të procesit të dialogut duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesa.

 

Advertisement