Rajon
Kosova blen 100 autoblinda/ Vuçiç: Edhe ne do armatosemi
Serbia do të investojë më shumë para për ushtrinë dhe industrinë e saj të mbrojtjes.
Lajmin e ka bërë të ditur Aleksandër Vuçiç, gjatë konferencës ndërkombëtare të mbrojtjes në Abu Dhabi.
Presidenti serb, po ashtu ka thënë se Beogradi ka planifikuar që në vitin 2023-2024 të prokurojë 200 armë të rënda të prodhimit vendas, të cilat arrijnë në shumën 300 milionë euro.
Vuçiç tha gjithashtu se armët serbe kanë zgjuar interesim të madh edhe në Abu Dhabi, duke theksuar se për zbatimin e këtij plani ka biseduar edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç dhe ministrin e Financave, Sinisa Mali.
Duke komentuar atë që ai e cilësoi si armatim të shfrenuar në mbarë botën, Vuçiç tha se Kosova po planifikon të blejë 100 automjete të blinduara deri në fund të vitit, pjesërisht nga donacionet, gjë që sipas tij është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Sipas presidentit të Serbisë, bota nuk ka parë një armatim kaq intensiv të paktën në 70-80 vitet e fundit.