Rajon
Kosova dhe betimi i ‘siamezëve’ sllavë
“Presidenti i Serbisë ma konfirmoi që nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës” – Kështu ka deklaruar para mediave, ambasadori rus në Beograd. Aleksandër Boçan-Harçenko, i cili ka qenë kundërshtar i zëshëm I planit frankogjerman që u arrit si Marrëveshje Bazë mes Kosovës dhe Serbisë në muajin shkurt dhe mars të këtij, viti, ka deklaruar se kjo është një mënyrë për “njohje tërthore të pavarësisë së Kosovës” dhe “kurth” në të cilën Serbia “nuk duhet të bjerë”, dhe se “zgjidhja” përmes këtij plani “është i pamundshëm që në themel”.
Njohjen e Kosovës ai e quan “shpërfillje të papranueshme të së drejtës ndërkombëtare” teksa tha se Aleksandër Vuçiç ia “konfirmoi se nuk do të ndodhë”.
“Shqetësimet mbeten të mëdha. S’ka zhvillime pozitive. Dialogu është në gjendje të atillë sa s’jep shumë shpresë që çështja e popullit serb do të zgjidhet. Pa përmendur ndonjë zgjidhje domethënëse, sepse është e pamundshme mbi këto themele” – tha ambasadori rus.
Harçenko, madje duke folur në vetë emër të Vuçiçit, tha se “Serbia nuk do ta njohë Kosovën as ‘de facto’ as ‘de jure’”, teksa tha se vetë edhe “njohja de facto” është “shkelje e paprecedentë e së drejtës ndërkombëtare”.
“Të gjithë e kuptojmë se kjo gjë nuk do të çojë në gjënë kryesore – zgjidhjen e problemit të serbëve në Kosovë. Kjo është sigurisht gjëja kryesore për Beogradin dhe në përgjithësi, pasi një pjesë e popullsisë nuk ndihet e sigurt dhe nuk ka mundësi të ushtrojë të drejtat e veta” – ka thënë ambasadori ru Boçan-Harçenko.