Kosova
Kosova është shtet, jo çështje apo aspirate/ Ekskluzive me Daniel Fried
Ish ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Daniel Fried, tha se Kosova tani është shtet dhe jo çështje, apo aspiratëdhe se Qeveria e Albin Kurtit duhet ta kuptojë se për detyrë primare ka zhvillimin e vendit, Bashkimin Europian dhe jo investimin në tematika të tjera.
Pak kush e njeh ashtu si Fried qëllimin malicioz të Rusisë dhe taktikën e saj për shkaktimin e vatrave të krizave për interesa destabilizuese. Prandaj, ai e sheh me shumë rrezik situatën e tensionuar në Veri, ku sipas tij, atje punon dora e Rusisë
“Rreziku i eskalimit në Ballkanin Perëndimor, ose përmes keqkuptimeve ose përmes qëllimeve dashakeqe, qëndron shumë i lartë. Ky rrezik, përsa i përket tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i shkon përshtati idesë së Kremlinit për të krijuar probleme në dhe përreth Evropës që ta shpërqendrojë atë nga agresioni i Rusisë në Ukrainë” – deklaroi Fried
“Përkundër se SHBA-të janë të fokusuar shumë në luftën në Izrael me Hamasin dhe agresionin rus në Ukrainë, qeveria e SHBA-ve duhet të vazhdojë punën me Evropën për të arritur një të ardhme sa më të mirë të mundshme për Ballkanin Perëndimor”, deklaron Fried duke specifikuar konkretisht momentin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit si situatë që shkon në të kundërt të kësaj aspirate për të ardhmen.
“Sulmi i 24 shtatorit nga paramilitarët serbë ishte akt i rrezikshëm, siç ishte vendosja në gjendje gatishmërie e ushtrisë së Serbisë në kufirin me Kosovën. SHBA-të e paralajmëruan Qeverinë e Serbisë për tërheqje trupash. Masat e marra më herët kundër Kosovës nga Serbia, iu përgjigjen shqetësimeve të Qeverisë së Kosovës për përshkallëzim të situatës” – theksoi Fried.
Ndryshe nga vitit 2008 kur Fried ishte diplomat kyç për Kosovën dhe figura e Amerikës për shqiptarët, aktualisht dy diplomatët amerikan më aktivët sot janë Gabriel Escobar dhe Christopher Hill. Njëri si Zëvendës-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit e tjetri si Ambasador i SHBA-vë në Serbi, Escobar e Hill janë politikanët që përbëjnë zërin amerikan. Fried ka lëvdata për të dy. Ai thotë se edhe vetë Amerika ka fat që ka në terren dikë si Escobar.
“E konsideroj me fat që Departamenti Amerikan i Shtetit ka një person si Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, përgjegjës për politikat e veta në Ballkan. Ai e njeh terrenin dhe njeh lojtarët po ashtu”, pohoi ish-diplomati.