Kosova
Kosova mbi shpinën e historisë së Unionit/ S’ka kthesë pozitive në dialog nëse nuk ndërrohet qasja ndaj Serbisë

Edhe pse liderët evropianë insistojnë në rifillimin e shpejtë të dialogut, pritjet për progres janë pothuajse minimale, sipas njohësve, kryesisht për shkak të qasjes së pandryshuar të BE-së ndaj Serbisë. Pavarësisht thirrjeve të liderëve evropianë për rinisjen e dialogut Kosovë–Serbi, gjasat për progres janë minimiale. Dhe kjo jo vetëm për shkak të kontekstit të brendshëm politik në Kosovë, por edhe për shkak të vështirësive strukturore të vetë procesit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili vazhdon të perceptohet si i njëanshëm.
“Pengesa e parë në rifillimin e dialogut është situata e brendshme në Kosovë. Por një pengesë shumë më e madhe është natyra e njëanshme e ndërmjetësimit të BE-së në të kaluarën”, vlerësoi eksperti i politikës së jashtme të BE-së, Toby Vogel, teksa përmendi mungesën e reagimit ndaj vizitës së presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Moskë.
“Mënyra se si BE-ja e trajtoi pjesëmarrjen e Vuçiçit në Paradën e Fitores në Moskë sugjeron se BE-ja nuk është e gatshme të rishikojë anshmërinë e vet pro-Beogradit: vetëm pak ditë pas kthimit të Vuçiçit nga Moska, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, vizitoi Beogradin dhe sinjalizoi mirëkuptim për pozicionin e Vuçiçit”.
Aidan Hehir, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Westminster në Angli, kritikoi gjithashtu qasjen e BE-së, duke vlerësuar se liderët evroianë për vite me radhë e kanë injoruar dhe toleruar sjelljen e tij provokuese dhe përshkallëzuese.
“Vuçiçi së fundi shkoi në Moskë për Paradën e Fitores. Ai ishte paralajmëruar paraprakisht nga BE-ja të mos shkonte. Ai shkoi, dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Ai ka kaluar pa u ndëshkuar për këtë lloj sjelljeje për kaq gjatë. Dhe në çdo kohë, në vitin 2012, 2013, 2014, ai e ka shtyrë pak më tej kufirin, pak më tej, pak më tej”, argumentoi ai.
Ai e cilësoi “një nga episodet më të turpshme në historinë e BE-së” vendosjen e Kosovës nën sanksione, pavarësisht veprimeve të Serbisë. “Aktualisht ka potencial për konflikt real në Ballkanin Perëndimor për shkak të nacionalizmit agresiv serb”.
“Ekziton vetëm një fajtor i qartë në këtë rajon që duhet të sanksionohet dhe ndaj të cilit BE-ja duhet të ndërmarrë një qasje shumë më të ashpër, më të qëndrueshme – dhe kjo është Serbia. Kosova nuk duhet të jetë askund afër listës së vendeve nën sanksione”.
Për vëzhguesit, duke qenë se është ende e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e re e Kosovës, dhe për shkak të situatës dramatike në Serbi, ku protestat e studentëve kanë lëkundur për herë të parë pushtetin autoritar të presidentit serb, nuk është realiste të pritet progres i madh në dialog, sidomos gjatë pjesës së parë të vitit 2025.
Gjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd para dy javësh, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, njoftoi se planifikon t’i ftojë përfaqësuesit e të dy vendeve në Bruksel “sa më parë të jetë e mundur” për të diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.
Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

