Kosova
Kosova mbyllet pas 17 dhjetorit/ Nova: Vuçiç ka pranuar ta firmosë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pritën të enjten e 21 tetorit në takime të ndara nga liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Takimet, e cilësuara si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, mbaruan pa ndonjë pajtim mes palëve. Meqë Kurti, insistoi në nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, porse Vuçiç, ka refuzuar nënshkrimin e tekstit sikurse në takimet e mëparshme. Megjithatë sipas burimeve të mediumit opozitar në Serbi, Nova.rs, propozimi për Statutin e Asociacionit është pranuar nga të dyja palët, por aktualisht po kërkohet një formë e përshtatshme e plasimit të një lajmi të tillë në atë mënyrë që si Kosova ashtu edhe Serbia të jenë të kënaqur me atë se çfarë është arritur. Siç raporton Nova.rs, nga burime brenda takimeve, përveç Albin Kurti edhe Vuçiç-i ka pranuar draft-statutin e Asociacionit dhe gjithashtu dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por me një kushte – që të mos ketë nënshkrim para datës 17 dhjetor, pra pas zgjedhjeve parlamentare e lokale në Serbi. “Vuçiç e ka pranuar draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por pa nënshkrim, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë nënshkrim. Ecuria e negociatave u ndikua ndjeshëm nga fakti se u propozuan dy modele marrëveshjesh: një që do të përfshinte një deklaratë të detajuar nga të dyja palët dhe që do të kishte të njëjtën peshë me nënshkrimet dhe tjetri që do të përfshinte marrëveshje të veçanta midis të dyjave palëve me Bashkimin Evropian. Vuçiç pranoi gjithçka, përfshirë edhe nënshkrimin e marrëveshjes, por jo me Kurtin në të njëjtin dokument”, thotë burimi i Nova.rs. Sipas po të njëjtit burim Asociacioni, sipas draft-statutit të propozuar, nuk do të ketë asnjë funksion ekzekutiv, përveç në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe pjesës që ka të bëjë me transparencën në financimin e buxhetit nga Serbia dhe mund të ketë edhe ndryshim të emrit të këtij mekanizmi. “Kurti pranoi themelimin e Asociacionit. Ky propozim i Statutit është pranuar nga të dyja palët dhe tashmë po kërkohet vetëm një formë që do të ‘vulos’ marrëveshjen. Ka shumë gjasa që Asociacioni të mos quhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe në atë ‘asociacion’ ekziston mundësia që t’i shtohen edhe disa komuna të tjera me shumicë shqiptare”. sqaron burimi i Nova.rs Pavarësisht progresit, burimi i Nova.rs thotë se ende ka probleme në negociata. “Në takim Kurti kërkoi anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga peshë shtetet mosnjohëse brenda Unionit”.