Connect with us

Shkrime

Kosova, në qafën e Serbisë si bagazh beduinësh

Mos heshtin dhe kërkoni falje

Nga Nikolla Krstiç

Kosova dhe Serbia. Dy emra që nuk shkojnë më bashkë, që luftojnë si boksierët në ring, ndërsa turma rreth tyre brohoret dhe qan për të preferuarit e tyre. Ose nuk brohorit, por shikon me lehtësim se nuk po luftojnë për jetën. Sepse në të vërtetë, duke e parë ndeshjen nga nje kendveshtrim tjeter, të gjithë janë humbës.

Por, të them të drejtën, Serbia është e keqja kryesore në këtë histori. Gjatë viteve 1990, Serbia ishte ajo që e afroi formën e saj të qeverisjes më pranë atij nazizmi thelbësor e të ngurtësuar. Është ajo që ka bërë luftëra kundër boshnjakëve, kroatëve, shqiptarëve, ku vranë, përdhunuan, dëbuan, mbajtën kampe përqendrimi dhe kryen terror të paimagjinueshëm mbi civilët.

Prandaj sot është pak frikacake dhe banale kur pyesim veten se çfarë kërkon më shumë kjo botë nga ne, kur ne kemi bërë gjithçka që na kanë kërkuar. Por ajo që nuk kemi bërë është ai pendim thelbësor për mëkatet e kryera në emër të të gjithë brezave. Dhe atyre të së shkuarës, por edhe të së ardhmes.

Serbia ka disi marrëdhënie me Kroacinë dhe Bosnje Hercegovinën, edhe pse nuk janë aspak të sinqerta apo të qarta, ndërsa me Kosovën, me kete shtet të ri evropian, nuk dëshiron të ketë asnjë lloj komunikimi, sepse sipas saj nuk ekziston.

Kosova. si ta përshkruajmë atë? Ndoshta si një makth që nuk mbaron kurrë. Si një makth nga i cili nuk mund të zgjohesh. Si një plagë që nuk shërohet kurrë. Ndoshta si ajo pjesë e errët e së kaluarës serbe që na tërheq deri në fund. Po, e di që disa prej jush shpresojnë se Kosova do të bëhet sërish pjesë e Serbisë, por le ta pranojmë të vërtetën – Kosova është shtet i pavarur, jo pjesë e shtetit të Serbisë. Po, atje poshtë jetojnë edhe serbët, si dhe pjesëtarë të tjerë të pakicave kombëtare. Nëse nuk mund ta pranoni këtë, atëherë bisedoni me mjekun tuaj tju caktojë diagnozën e sëmundjes…

Sepse të mos harrojmë se çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Serbia e Millosheviçit  terrorizoi shqiptarët e Kosovës, kreu krime kundër njerëzimit, zbatoi segregacionin në çdo formë të mundshme. A tingëllon kjo si zgjidhje e “çështjes serbe”? Jo, ishte urrejtje e pastër, racizem dhe nacionalizem që e sollën Serbinë dhe qytetarët e saj në prag të rrënimit. Deri në skajin e humnerës mbi të cilën ende po rrëshqasim, vetëm nga frika e tepërt e rënies, nuk duhet të shikojmë atë vorbull të errët.

Ushtria dhe policia serbe, me mbështetjen e njësive paraushtarake shtetformuese, kryen krime të tmerrshme – nga ekzekutimet masive, përdhunimet dhe dëbimet, deri te spastrimet etnike dhe dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve, burra, gra e femije nga ai territor.

Kur në Kosovë bëhej kasaphana, intelektualët serbë ziheshin dhe vajtonin. Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve ishte e zënë me përhapjen e ideve nacionaliste të rrënjosura në mitologjinë serbe, kurse Kisha Ortodokse Serbe bekonte krimet kundër njerëzve të pafajshëm nga altari. Po qytetaret e Serbisë cfare bënë e ku ishin?

Ata votuan masivisht për nacionalistët që bënin thirrje për luftë, urrejtje dhe krim. Për ta, Kosova ishte më e rëndësishme se jeta e njerëzve, ndonëse realisht nuk dinin të tregonin një dallim të qartë mes Metohisë dhe Kosovës.

Serbia e Vuçiç vazhdoi me këtë tmerr, vetëm kohortat e tij (Njesite ushtarake) e dinë se çështja ka përfunduar në mënyrë të pakthyeshme, megjithatë ai vazhdon të ndezë zemrat mbi territorin e Kosoves, sepse kështu është më e lehtë të manipulosh njerëzit.

Vucic buzëqesh me viktimat e tij kurse Serbia jeton në iluzionin se mund ta marre serish Kosovën.

Kosova është shtet i pavarur. Mos beni sikur nuk e kuptoni. Boll me kthim ne te kaluaren dhe dialogje e monologje per hakmarrje. Kosova është bërë si një barrë që po na tërheq drejt fundit, por në vend që ne ta lëshojmë, e mbajmë mbi shpinë si bagazh beduinësh.

Dhe kështu, ndërsa në Serbinë e Vuçiçit, ankohen për “golgotën serbe në Kosovë”, njerëzit atje jetojnë vërtet në mjerim dhe varfëri. Dhe teksa serbët nga sallonet e Beogradit tmerrohen nga krimet e shqiptarëve, harrojnë se gjeneralët, ushtarët dhe policët serbë kanë kryer krime që shënuan historinë e Kosovës.

Historia e atij vendi të ri do të shkruhet me gjak dhe lot dhe Kosova do të jetë një njollë e zezë çnjerëzore dhe dështimi kolektiv në historinë  e Serbisë moderne.

Vukovari, Srebrenica, Kosova, janë faqe të shkurtra në listat e gjata të keqbërjeve të viteve nëntëdhjetë, per te cilat turpi do të jetë i përjetshëm. Jo sepse ka ndodhur diçka e tillë, por sepse është heshtur, vazhdon te heshtet dhe nuk kerkohet falje.

Autori është gazetar i pavarur serb

 

Advertisement