Connect with us

Kosova

Kosova në udhëkryq, Kurti para vendimit më të vështirë të karrierës politike

Skena politike në Kosovë ndodhet në një nga udhëkryqet më të rëndësishme të viteve të fundit, ku ngërçi institucional dhe mungesa e një marrëveshjeje qeverisëse po e çojnë vendin me shpejtësi drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ben Andoni u shpreh se, nëse kryeministri Albin Kurti nuk arrin një kompromis me opozitën brenda fillimit të javës, zgjedhjet mund të jenë të pashmangshme, me një datë të mundshme të caktuar para Krishtlindjeve.

Sipas Andonit, kryeministri Kurti përshkruhet si një lider në pikën më kritike të karrierës së tij politike. Ndonëse pushteti i tij konsiderohet “monolit” dhe më i qëndrueshëm se ai i rivalëve, i forcuar nga një narrativë e fortë kundër krimit dhe korrupsionit, retorika e tij e ashpër ndaj kundërshtarëve politikë shihet si një pengesë për arritjen e konsensusit.

Gjithashtu në krahun tjetër, partitë opozitare kryesore, PDK dhe LDK, paraqiten me profile të ndryshme.

PDK, nën drejtimin e Memli Krasniqit, vlerësohet për një rezultat relativisht të mirë në zgjedhje, pavarësisht goditjeve që partia ka marrë. Krasniqi përshkruhet si një figurë me përvojë të gjerë institucionale, i aftë për të drejtuar funksionimin e shtetit.

Nga ana tjetër, LDK me Lumir Abdixhikun në krye, cilësohet si e vetmja parti ideologjikisht “e saktë” në Kosovë, me një profil të qartë të qendrës së djathtë. Abdixhiku shihet si një “teknokrat” me njohuri të thella ekonomike, por partia përballet me turbulenca të brendshme rajonale.

Analisti thekson se e ardhmja politike e Kosovës varet nga lëvizjet e ardhshme të kryeministrit Kurti. Opsionet janë të qarta: një marrëveshje e shpejtë me LDK-në për të formuar një qeveri me bazë të gjerë, ose kthimi te kutitë e votimit, një skenar që duket gjithnjë e më i mundshëm.

Intervista në studio:

Andoni: Një pjesë e personazheve që janë në politikën kosovare, ju e dini që kanë përvojë të gjatë. Nuk po flas për zotin Memli Krasniqi dhe zotin Lumir Abdixhiku, po të dy kryesojnë parti tash. Por elementë që janë brenda partive të tyre, siç është zoti Ramush Haradinaj. Kanë shumë vite aty. PDK-ja është personalitet dhe në mendimin tim, ai në një konjukturë tjetër, në qoftë se Vetëvendosja do lejonte pak pushtet, mund të ishte kryeministër shumë i mirë i Kosovës, sepse ju e dini, ka punuar në bankë, ka punuar në pushtetin lokal, ka punuar në institucione të ndryshme dhe njeh funksionimin e shtetit. Prandaj dhe PDK-ja nën drejtimin e tij, sepse ai e drejtoi fushatën zgjedhore, nuk është se arriti rezultat aq të keq, edhe mbas goditjeve të mëdha që, më fal, PDK-ja ka marrë nga të gjitha anët. Kurse tek LDK-ja, po ta shikoni me kujdes, ka turbulenca shumë të mëdha krahinore. E para sepse zoti Abdixhiku mban kartën e teknokratit dhe teknicientit dhe për hir të vërtetës, ai e njeh ekonominë shumë mirë. Në mendimin tim dhe nga ana ideologjike, ajo është partia e vetme që është parti e saktë në Kosovë, sepse ata janë parti e të djathtës së qendrës dhe luftojnë brenda kësaj ideologjie. Ndërsa partitë e tjera janë parti jashtëzakonisht të amullta. E para në qëndrimin ideologjik, po e dyta edhe në pozicionimet e tyre. Por ne shmangim diçka që emancipimi i shoqërisë politike kosovare, nuk po them për elitat, sepse elita është fjalë e madhe në Shqipëri edhe në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar. E para që ju e dini, në dy raste zoti Kurti, dhe në zgjedhjet e mandatit të dytë edhe në këto zgjedhjet e tjera ku ai fitoi, përdori një retorikë shumë të ashpër ndaj kundërshtarëve të tij. Madje dhe këtë herë, në vend për shembull që të jetë pak i përulur, që të jetë pak mirëkuptues, ai duket që nuk e lë dot këtë. Madje në një mbledhje më përpara kësaj që ju përmendët me të drejtë, ai u kërkoi opozitarëve të Kosovës që këtej e tutje ata duhet të heshtnin sepse ai do të veprojë me fuqinë e edhe të këtij pushteti tranzicioni që ka në në Kosovë. Me pak fjalë, po mendoj që zoti Kurti gjendet në kryqëzimin më të madh të karrierës së tij politike dhe gjatë kohëve ai në një farë mënyre po fillon të bjerrët pak në perceptimin e përgjithshëm. Por, po ta shikoni me kujdes, zoti Kurti në pushtetin lokal, megjithëse ka dalë më të dobët se dy partitë kryesore, ka filluar që të jetë më mirë se në zgjedhjet e kaluara, që tregon që pushteti i tij është pushtet monolit dhe është pushtet i cili nuk ka, të themi, turbulenca të mëdha, siç ndodh me PDK-në edhe me me LDK-në. Janë më të qëndrueshëm për shkak edhe të narracionit që përdor ai kundër bandave, kundër krimit, kundër korrupsionit, edhe kuptohet kundër pjesës së dialogut me Serbinë.

Parruca: Po. Ndërkohë që Vetëvendosja pa, pa dyshim mbetet forca e parë politike e Kosovës. Çfarë do të ndodhë tani? Do të shkojë Kosova në zgjedhje? Si mund t’i shmangi zgjedhjet? Sa kohë mund të rri, se Kosova nuk është Belgjika që mund të rri kaq kohë të gjatë pa qeveri.

AndoniPo. Keni shumë të drejtë. Në qoftë se në fillim të javës zoti Kurti nuk bën një lëvizje, po që duhet t’i japë shumë pushtet për LDK-në, ëhë. domethënë që t’i marri disa individë të saj për t’i futur në qeveri si ministra, dhe ka ministra, ka individë shumë të mirë tek LDK-ja që mund ta përmbajnë këtë detyrë. Unë besoj që do shkohet në zgjedhje dhe zgjedhjet janë para Krishtlindjeve, domethënë, ai është afati i parë dhe më i mundshëm, në 24 dhjetor, në mos gaboj, dhe kjo i jep pak frymëmarrje që Kosova të veprojë menjëherë për institucionet dhe për buxhetin. Sepse deri tani është kaluar projektbuxheti, po duhet miratuar buxheti, që do të thotë ka pengesa të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha Kosova gjatë këtyre kohëve ka humbur miliona euro. E para nga ndihma e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në planin e zhvillimit, ai 6 miliardëshi i njohur, po edhe nga probleme të tjera. Ndërkohë që konstituimi i parlamentit të Kosovës nga njerëz që nuk kanë bërë asnjë lloj pune deri tani, i ka marrë Kosovës vetëm për rrogat e tyre 1.5 milionë euro, shtuar dhe me një shifër jo kaq të madhe, po bajagi të madhe të njerëzve që u shërbejnë atyre dhe që pothuajse nuk prodhojnë asgjë. Dhe kur mendon shpatullat e dërrmuara të Kosovës, vetëm këto dy shifra që u përmenda janë jashtëzakonisht të mëdha.

Advertisement