Connect with us

Kosova

Kosova njeh kartat serbe te identitetit

Qeveria e Kosovës ka pranuar të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe- hapa këto që i zbusin  pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet, që hyn në fuqi në 15 mars.

Sipas legjislacionit në fjalë, personat që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në rrugët e vendit për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas takimit që kryeministri Albin Kurti zhvilloi në Prishtinë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav. Orav pohoi se gjatë javës së fundit kanë pasur diskutime intensive me Kurtin, derisa u pajtuan për masat shtesë.

Shpresojmë që të gjitha çështjet vendore të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të ecim përpara me procesin e integrimit në BE. Në takim. U përqendruam së pari te zbatimi i plotë i Ligjit mbi të huajt. Diskutuam që zbatimi të fillojë nga nesër. Kemi pasur bisedime intensive gjatë javës së fundit dhe sot është arritur pajtimi i zbatimit të Ligjit për të huajt me disa masa shtesë, e sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrim të përkohshëm”-u shpreh Aivo Orav, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet është kundërshtuar nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektori civil, të cilët argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit që veprojnë brenda sistemit të Serbisë në mjediset me shumicë serbe. Kjo, për faktin se masat do të preknin pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë

Advertisement