Kosova
Kosova para gjyqit, Von Crammon e akuzon në Bruksel

“Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti politik për të përparuar në integrimet evropiane të vendit. Kabineti qeveritar ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, por hapat e nevojshëm për përparim nuk janë bërë’, – kështu deklaroi mediumin bullgar BTA, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon.
Sipas saj, në Kosovë thonë se duan të bëhen anëtarë të NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës, por nëse dikush i njeh rregullat e klubit, duhet të luajë me ato rregulla në vend që t’i shkelë. Ajo vazhdoi duke thënë se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk po ua lehtëson aspak jetën qytetarëve, por po dërgon sinjale shumë të përziera.
“Partnerët ndërkombëtarë janë të lodhur nga mosveprimi i Prishtinës, dhe kjo çoi në futjen e masave ndëshkuese nga BE-ja vitin e kaluar”, tha Von Vramon duke shtuar për mediumin bullgar se për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të njihet si një vend i pavarur nga shtetet anëtare, pesë prej të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Të gjithë pajtohen se ka nevojë për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, theksoi raportuesja e Unionit. “Kur Kosova shpalli pavarësinë, ishte e qartë se bëhej fjalë për një shtet dhe shoqëri multietnike dhe nevojiten mekanizma për ta mbrojtur atë shoqëri multietnike. Megjithatë, partisë në pushtet dhe mbështetësve të saj tani nuk i intereson kjo”.- potencoi Viola Von Cramon.
Sipas raportueses së PE-së, Kosova është plotësisht e mundur që të anëtarësohet në BE, por ajo shpreson të shohë një qeveri që punon në interes të njerëzve për ta arritur këtë qëllim.
Von Cramon tha se asnjë nga mekanizmat e BE-së për trajtimin e krizave të tilla nuk ka qenë mjaft efektiv deri më tani, dhe vendosja e masave kufizuese që prekin drejtpërdrejt qytetarët e vendit do të ishte e padrejtë.

