Kosova
Kosova po shantazhohet nga SHBA-BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, pas presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje me Serbinë, tha se do t’i rezistojë çdo përpjekjeje për “shantazh” nga ana e Perëndimit. Ai tha se njohja e Kosovës nga Serbia do t’i ndihmonte Beogradit të anëtarësohej në BE ndërsa kërkoi që presioni ndërkombëtar të bie mbi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se Serbia po kërkon kthim prapa në kohë.
“Kosova është vend i pavarur dhe do të jetë më mirë që edhe Serbia ta njohë ”, tha Albin Kurti
Kryeministri gjtihashtu këmbënguli se barra për normalizimin e marrëdhënieve i takon Serbisë, të cilën ai e quajti një “autokraci” që ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe po vazhdon të destabilizojë Evropën Juglindore, rrjedhimisht edhe Ballkanin Perëndimor.
Në lidhje me insistimin e BE-së dhe SHBA-ve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kreu i ekzekutivit tha se nuk mund të shantazhohet e as të frikësohet.
“Ne jemi njerëz të guximshëm dhe ajo që kërkojmë është trajtim i drejtë, barazi dhe njohje reciproke. Presioni duhet të bëhet mbi Beogradin”, u shpreh Kurti.