Në këtë 25-vjetor, janë paraparë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në sheshin qendror të Prishtinës. Nga ora 09:15, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta presë në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërsa Kuvendi i Kosovës, në orën 10:00, do të nisë seancë solemne për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.
Parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës do të nisë në orën 12:00 nga objekti i Qeverisë së Kosovës në sheshin “Ibrahim Rugova” deri te sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, ndërsa pritet të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.
Në orën 14:00 në Ferizaj do të zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, një prej përkrahësve më të fuqishëm të luftës dhe bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.
Tre liderët e shtetit, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari do të kenë pritje shtetërore për nder të 25-vjetorit. Kjo ceremoni nis në orën 17:00. Nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të ketë koncert festiv publik.