Connect with us

Kosova

Kosova, si fantazmë brenda BE-së/ ‘The Conversation’ për ngjarjet në veri

Rrjeti i mediave jo-profitabile “The Conversation” me bazë në Australi, në një artikull të fundit ka shkruar në lidhje me impotencën e Bashkimit Evropian për t’i zgjidhur problemet në kontinent, përfshirë tensionet gjithnjë e më të mprehta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas ngjarjeve vdekjeprurëse në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës.

Në artikull thuhet se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë neglizhuar rajonin e Ballkanit Përëndimor, duke shpresuar se joshja e anëtarësimit të rajonit në BE do të mjaftonte për të qetësuar Serbinë dhe vendet e tjera. Por, sipas rrjetit mediatik australian, dështimi i vendeve perëndimor në këtë drejtim tani kërcënon të minojë vetë BE-në.

Aty thuhet se perspektiva e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Ajo nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Aty thuhet se Serbia ka dështuar në përmbushjen e standardeve evropiane, përfshirë reformat në gjyqësor.

Gjithashtu aty thuhet se bashkësia e organizuar ndërkombëtare nuk duhet të injorojë nevojën që Serbia të vazhdojë reformat në mënyrë që të përmbushë kërkesat e vazhdushme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se BE-ja thuhet se ka një traditë të gjatë të anashkalimit të kërkesave të saj kur sheh përfitime afatgjata nga integrimi i shpejtë.

Gjasat që BE-ja t’i vendosë sanksione Serbisë për shkak të dyshimeve për përfshirjen në sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me shumicë serbe, konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së.

Advertisement