Connect with us

Kosova

Kosovë/ Shtyhet me 48 orë zbatimi i vendimit për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, një kërkesë kjo e bërë nga SHBA.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Si përgjigje ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan, Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.

Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për këtë çështje, pas takimit disa orësh që kanë zhvilluar më 21 nëntor në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Zhgënjim për mosarritje të marrëveshjes kanë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja.

Advertisement