Kosova
Kosovë/ Përçarja e koalicionit…Por Donika përgënjeshtron
Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, teksa dhe thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive. Kryediplomatja kosovare se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit. Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme. Por, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi thotë se kryeministri Albin Kurti po e shpërfillë vazhdimisht ministren Gërvalla. Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi. Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën. Kjo ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.