Kosova
Kosovë – Serbi/ Ora po shkon 12 – Fajon: Nuk do ketë kohë të dytë
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, shprehu shpresën e saj se Kosova dhe Serbia do të përfitojnë nga mundësia aktuale që ofron propozimi evropian, sepse shprehet që është e vështirë të thuhet se kur do të paraqiten mundësitë e reja.
Fajon, në një prononcim për të përditshmen vjeneze “Standard”, e pyetur se çfarë mendon për propozimin gjermano-francez, tha se Kosova duhet të bëjë përpjekje reale për të themeluar Asociacionin e Komunave Serbe dhe për të siguruar integrimin dhe mirëqenien e anëtarëve të komunitetit serb atje.
“Kur bëhet fjalë për propozimin europian, e kuptoj se po flasim për vendime politike shumë të vështira dhe me shumë pasoja të mundshme. Megjithatë, shpresoj që Beogradi dhe Prishtina, do të gjejnë një mënyrë për të përfituar nga ky moment. Është e vështirë të thuhet se kur do të shfaqen sërish mundësi të reja”, shpjegoi Ministrja e Punëve të Jashtme sllovene
E pyetur gjithashtu nëse Sllovenia e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ajo ka shpjeguar se nuk është kundër, por shton se nuk beson që kjo temë është aktualisht në tavolinë.