Rajon
Kosovë-Serbi/ Pikat përvëluese të planit europian
NTV.AL ka zbardhur planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe rrugën e zbatimit të këtij plani. Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje thuhet se të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore. Po ashtu, palët do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. “Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerat të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën për në BE bazuar në meritat e tyre”. Në plan, saktësisht në nenin 4, thuhet gjithashtu se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, si edhe parashihet që palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do t’i ofrojnë mbrojtje të fortë vendeve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Kurse në udhërrëfyesin e Zbatimit, në pikën 3, thuhet se “Jo më vonë se 15 ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes bazë, ekipi menaxhues nga ana e tij duhet të paraqesë draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.