Kosova
Kosovën e kemi humbur/ Flet historiania serbe
Historiania serbe, Dubravka Stojanoviç, tha se “ne e humbëm Kosovën në luftë me fuqinë më të madhe botërore dhe për këtë është e nevojshme marrëveshja me Prishtinën”. Ajo u shpreh gjithashtu se kundërshton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas saj, gjendja e konfliktit të ngrirë është katastrofike, para së gjithash për vetë Serbinë, e cila është në atë gjendje që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, “dhe bota po ecën përpara, duke përfshirë edhe vetë Kosovën”.
Siç raporton “Danas”, Stojanoviq beson se Serbia me veprimet e saj po izolohet nga bota, dhe persa i përket anëtarësimit në OKB, nëse kaq shumë vende e kanë njohur Kosovën, “ata do të votojnë për atë vend, pavarësisht se çfarë thotë Serbia”
Ajo deklaroi se asociacionin e percepron si ndarje territorial, dhe kujtoi se shumica e serbëve nuk jetojnë në veri, “të cilët, në atë rast, do të mbeteshin pa të drejta”.
Duke komentuar idenë e referendumit për marrëveshjen me Kosovën, Stojanoviq theksoi se ajo kurrë nuk ka besuar në atë ide në Serbi, sepse të gjitha referendumet janë të manipuluara, “sidomos nën këtë regjim”.
Historiania serbe gjithashtu theksoi se gjithmonë ekziston rreziku i konfliktit jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, duke përfshirë Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi, “sepse pushteti i Vucic në Serbi dëshiron t’i mbajë konfliktet të hapura”.