Connect with us

Politike

Kovaçi tha se do futen në grevë urie, reagon Rama

Në përurimin e shkollës ‘Klodian Tanushi’, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe paralajmërimin e pedagogëve se do të futen në grevë urie sot pasdite, nëse qeveria nuk u plotëson kërkesat. Duke e cilësuar si ‘SHIK-s’,Rama tha se kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi merr urdhra nga Foltorja.

Kreu i qeverisë tha se rritja e pagave të pedagogëve është e lartë, krahasuar me gjendjen në të cilën ndodhet vendi për shkak të krizës ekonomike dhe asaj energjetike. Rama tha se rritje prej 15% nuk ka pësuar as paga e mësuesve, punën e të cilëve e quajti më të vështirë se atë të pedagogëve.

“Ka uzurpuar sindikatën e ashtuquajtur të pedagogëve. Del me ultimatum se nëse nuk i rriten rrogat do hyn në grevë. Grevë urie për rroga mund të bëjnë vetëm njerëzit pa atdhe pa flamur, pa fe, pa din e pa iman. Grevë urie për rroga nuk bëjnë prindërit e këtyre të cilët me siguri shumica i kanë të ardhurat më pak se SHIK-si që urdhrat i merr nga foltorja e baltës. Greva e urisë është një institucion shumë i lartë që luftohet për të drejta themelore, jo për rroga. Aq më tepër që në këto kushte rritjen më të madhe të rrogave e kanë pasur pedagogët e universiteteve. Nuk u është rritur 15% rroga mësuesve edhe pse kanë një punë shumë më të vështirë se ata që mbajnë e emrin e pedagogut dhe dalin në media të thonë nuk ja vlen të jesh pedagog në Shqipëri. Natyrisht që përfitojnë nga një autonomi e kuptuar si papërgjegjshmëri. Dikush që thotë nuk ia vlen të jesh pedagog nuk mund të jetë pedagog, personazhe që çedukojnë rininë, shumica e pedagogëve nuk janë këta. Nëse do ishin shumica do ishim në një alarm më të madh se inflacioni i luftës. U detyrova të flas për këtë, por më vjen shumë mirë që këtë mundësi na e jep shembulli i një djali që pagën e kishte më të ulët se SHIK-si që do të futet në grevë urie për ti shërbyer atyre që shërbejnë rublave rus dhe jo atdheut, por dha jetën”, tha Rama.

Advertisement