Connect with us

Politike

Rinumërimi i kutive të Kuçovës, zbulohet data

Më 30 qershor pranë KQZ-së do të rinumërohen 18 kuti votimi të bashkisë së Kuçovës në qarkun e Beratit.

Ky është vendimi i Kolegjit Zgjedhor që hedh poshtë vendimmarrjen e mëparshme të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, pas kërkesës të kandidatit të Koalicionit Bashkë Fitojmë për rivlerësim të votave dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në këtë bashki.

Kolegji Zgjedhor shqyrtoi të premten, në një mbledhje maratonë që zgjati 9 orë, disa raste të denoncuara nga Maliqi të pasqyruara në 500 video si parregullsi që cenonin procesin zgjedhor. Ndër to shfaqen, momente votimi familjar apo në grup si dhe pretendohet për ndërhyrjen e komisionerëve dhe vëzhguesve gjatë ushtrimit të të drejtës së votës. Megjithatë, Kolegji pranoi pjesërisht ankimimin e pretendentit për kryetar të Bashkisë së Kuçovës vetëm për rinumërim në 18 qendra votimi.

Lefter Maliqi sërish nuk u shfaq i kënaqur me vendimin, pasi synonte pavlefshmërinë totale të zgjedhjeve në Kuçovë. Mirëpo ai tregoi bindjen se edhe me rinumërimin e votave rezultati do të përmbyset në favor të tij, duke rrëzuar nga pushteti vendor Kreshnik Hajdarin, socialistin e shpallur fitues më 14 maj në këtë bashki. Edhe pse diferenca mes tyre është 682 vota.

KQZ-ja vec rinumërimit, po organizon punën për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës, teksa ka shpallur 23 korrikun si datën e re të procesit zgjedhor. Ndërkohë presidenti ende nuk ka shpallur datën e zgjedhjeve në Bashkinë e Kukësit, ku Safet Gjici dha dorëheqjen pas skandalit intim të ndodhur në zyrë.

Advertisement