Politike
Kreu i FRPD: Kontrata e lobimit të Berishës është bërë me avokatin personal të Donald Trump

Kreu i FRPD, njëherësh kandidat për deputet i demokratëve për qarkun e Tiranës, Besart Xhaferri zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, detaje të rëndësishme nga kontrata e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, e cila u bë publike nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Xhaferri saktësoi se kostoja e kontratës është 250 mijë dollarë dhe se ajo është lidhur nga një shoqatë shqiptaro-amerikane, me financimet e disa biznesmenëve, e që mund të ndërpritet pas tre muajsh.
“E para njëherë nuk është kontratë e PD. Ajo që paguan kontratën është një shoqatë shqiptaro-amerikane, që ka një kontratë të lidhur 250 mijë dollarë në muaj dhe që mund ta ndërpresë këtë kontratë. Po përfituesja e këtij lobimi, do të jetë PD. Dhe patjetër që PD duhej të jepte lejen që të lobohej. Këta biznesmenë të shoqatës shqiptaro-amerikane janë me emra, mbiemër, janë nënshtetas amerikane dhe janë deklaruar përballë gjithë instancave shtetërore siç e kërkon ligji amerikan. Pra nuk janë 220 mijë dollarë të dhëna në ndonjë garazh të Amerikës siç i jepte Agron Neza, McGonigal-it. Kjo është diferenca në lobim. Këto janë para të deklaruara në bankë nga këta biznesmenë. Diferenca e dytë mes PS dhe PD. Këtu është një praktikë shumë e ndershme dhe nuk është 6 milionë dollarë. Është 250 mijë dollarë në muaj dhe mund të zgjasë tre muaj”, zbuloi Xhaferri në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.
“Do sqarohen marrëdhëniet e PD me Amerikën, të cilat u bënë lëmsh nga një lobim ilegal nga Charles McGonigal dhe Soros e të tjerë. Frika më e madhe që ka zënë të gjithë shtetin shqiptar është se kjo kompani lobimi që është paguar nga kjo shoqatë shqiptaro-amerikane është e avokatit personal të Donald Trump. Pasi PD ka marrëdhënien e shkëlqyer me kryearkitektin e fushatës, tashmë do të ketë një marrëdhënie të shkëlqyer me avokatin e Presidentit Donald Trump. Kjo kontratë është nënshkruar më 4 prill. Marrëdhëniet me SHBA është Edi Rama që nuk do i ketë më. Kjo pagesë për lobim bëhet nga një shoqatë jo fantazmë”, tha Xhaferri.

