Aktualitet
Krimi në vend/ Karamuço: Armë të reja po përdoren ilegalisht
Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar sot në “Top Talk” raportoi se në vendin tonë është rritur përdorimi i armëve ilegale.
Në dyqane dhe në rrjete sociale, thotë Karamuço, shiten lirshëm thika dhe mjete me goditje elektrike, që nuk lejohet të përdoren pa autorizim.
“Për të shtuar katalogun e pajisjeve që përdorin të rinjtë sot, unë do të veçoja aparatura me goditje elektrike, që po shiten rëndomë në të gjitha qytetet e vendit. Po shiten nëpër dyqane. Po i përdorin sidomos grabitësit, për të neutralizuar një person dhe për të marrë të gjitha sendet personale që ai mund të ketë. Mund t’i shikoni në të gjitha rrjetet sociale, për 34, 40 deri në 60 euro, varet nga karikimi.
Po shiten thika me sustë, thika të fshehura, të kamufluara nëpër çakmakë dhe në sende të tjera të zakonshme. Po shiten shumë dhe policia nuk po merr masa që t’i bllokojë, ose t’i certifikojë, kush i blen këto”.
Karamuço thotë se është vënë re përdorimi ilegal i gazit neuroparalizues dhe shprehet se policia duhet të shtojë kontrollet dhe të marrë masa.