Kosova
Krishtlindja në Kosovë/ Mesazhi i ipeshkvit Dodë Gjergji: Mjaft me urrejtje
Besimtarët katolikë në Kosovë festojnë krishtlindjen dhe në mesnatë kanë ndjekur edhe meshat.
Në Prishtinë në katedralen Nënë Tereza, ipeshkvi Dodë Gjergji ka dhënë mesazhin e kësaj dite.
“Mjaft me nxitje të mos durimit, me përçarje e me fyerje pasi që sot në botë ka mjaft urrejtje. E populli ynë sidomos, vendi ynë, familjet tona dhe çdo njeri mes nesh ka nevojë për dashuri. Prandaj, të bëhemi vegël e paqes. Ne nuk e kemi fuqinë t’i ndalojmë luftërat, por kemi mundësi të sjellim dashuri prindërve të vetmuar ose të braktisur nga fëmijët e tyre. Mund të sjellim pajtim dhe dashuri tek vëllezërit e hidhëruar me njëri-tjetrin, po ashtu te politika e përçarë e te politikanët që kanë nevojë për ndërgjegjësim, pse jo edhe te ne prijësit e feve”.
Në meshë morën pjesë edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ndërsa më herët u mbajt pritja e kësaj dite të shënuar ku dhanë mesazhet e tyre edhe presidentja osmani dhe kryeministri i Kosovës.
“Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përball sfidave duhet të triumfoj shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë, familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pran dhe bashkë-kombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”
“Premtimi i Jezusit, mbush me shpresë, veçanërisht në kohë të vështira. Bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pa shpresa e që me veprat e saj na ftoi në dashuri, përgjegjësi e përkujdes ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë, është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore, është Krishtlindje çdo herë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson me ata që nuk kanë shpresë në varfërinë fizike e shoqërore”