Kosova
Kriza e thellë në Kosovë/ Osmani u bën thirrje partive: Nuk e kemi luksin të mbetemi pa institucione

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin polak TVP World, ka kërkuar nga partitë politike të arrijnë një marrëveshje për krijimin e institucioneve, duke theksuar se bllokada aktuale po i kushton rëndë vendit.
Ajo paralajmëroi se për shkak të ngërçit politik po humben projekte të Bashkimit Evropian dhe dritare të rëndësishme bashkëpunimi me administratën e re të SHBA-së.
Osmani theksoi se vendi nuk e ka luksin të presë gjatë pa institucione.
“Do të ketë shumë që thonë Belgjika ka dy vjet pa qeveri, Austria gjashtë muaj. E kuptoj, por ne nuk e kemi luksin me prit aq gjatë. Ne duhet vërtet të ecim para me reforma dhe me anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, theksoi Osmani dhe gjithashtu mohoi se ekziston ndonjë ndikim i jashtëm në qëndrimet e partive të mëdha politike në Kosovë.
Në intervistë, Osmani shfaqi edhe kritika për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ajo tha se pavarësisht faktit që 97 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin integrimin në BE dhe NATO, përparimi duket i ngadalshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

