Connect with us

Kosova

Kriza energjetike/ Janari dhe shkurti muaj kritikë për Kosovën

Fillimi i vitit 2023 po konsiderohet kritik për Kosovën, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Drejtuesit shtetërorë kanë kërkuar nga qytetaret që të kursejnë energjinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, kanë bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike.

Kurti ka thënë se muajt e ardhshëm do të jenë sfidues, veçanërisht janari dhe shkurti do të jenë më kritikë meqë rritet çmimi i rrymës edhe në treg ndërkombëtar.

“Situata e menaxhuar mirë deri më tani s’duhet të na japë ndjesinë e rehatisë. Tanimë gjatë këtij muaji kemi parë çmime mbi 500 euro për megavat për orë”.

Tutje, kreu i ekzekutivit është lavdëruar pasi ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria për të krizën energjetike kanë dhënë efekt deri tash.

Sipas tij, këto masa kanë ulur me 8 për qind konsumin e energjisë elektrike në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2022, kemi ndarë 85 milionë euro për qytetarët në përballje me këtë krizë të madhe. Me subvencionimin e faturave për të gjithë, e kemi evituar rritjen e çmimit për familjen, komunat e institucionet publike që konsumojnë 800 kwh. Kemi mundësuar çmime më të lira se në rajon. Më subvencionimin shtesë për ata që kursejnë kemi ndihmuar mbi 161 mijë familje në shtator, mbi 212 mijë familje në muajin tetor”.

Kurti ka thënë se është rritur numri i qytetarëve që kursejnë energjinë.

“Është rritur numri atyre që kursejnë muaj pas muaji. Kemi bërë shpërblim për ata që kursejnë. Me këto masa, kemi balancuar nevojën e qytetarëve për të evituar rritjen e çmimit të energjisë dhe kemi vepruar në përputhje me strategjinë e energjisë. Kemi arritur të ulim konsumin e energjisë elektrike me 8 për qind krahasim me vitin e kaluar. Veçanërisht në amvisëri, në muajin nëntor kemi arritur deri në 15 për qind”.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu ka falënderuar qytetarët që po kursejnë energjinë elektrike dhe ka thënë se falë kësaj u mundësua që të ketë furnizim të rregullt, pa reduktime.

Por, ai ua ka tërhequr vërejtjen bizneseve që nuk kanë kursyer.

“Secilin e secilës prej jush, ju lus të vazhdoni ta intensifikoni kursimin e energjisë gjatë muajve në vijim. Ndërsa, te komunat e bizneset tek te cilët fatkeqësisht s’kemi parë një nivel të tillë kursimi, i lusim që të shtojnë përpjekjet në këtë drejtim. Në të kundërtën subvencionimi nga buxheti i shtetit me paratë e taksapaguesve për bizneset e komunave nuk mund të bëhet në të ardhmen”.

Edhe ministrja Rizvanolli teksa ka apeluar për kursim të energjisë, ka thënë se sivjet investimet në efiçiencë të energjisë “janë rritur shumëfish”.

Sipas saj, janë siguruar më shumë se 400 milionë euro investime për sektorin e energjisë.

“Gjërat e mira vijnë ngadalë, sidomos për energjinë ku vlera e investimeve është e lartë e kompleksiteti do kohë”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet.

Mbi 93 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë vjen nga qymyri në termocentralet Kosova A dhe B, pranë kryeqytetit Prishtina.

Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator të Energjisë të Kosovës, vendi me 1.8 milion banorë vitin e kaluar ka prodhuar mbi 6.200 gigavat orë energji elektrike dhe ka konsumuar gati 6.900 gigavat orë, pra gati 10 për qind e energjisë elektrike është importuar.

Kosova ka potencial modest hidroenergjetik dhe vitet e fundit ka investuar në centrale me erë dhe diell./ monitor

Advertisement