Aktualitet
Kriza/ Miratohet çmimi i ri i energjisë
TIRANË- Nga 1 tetori deri më 31 dhjetor, me qëllim kursimin e energjisë për shkak të krizës, qytetarët do paguajnë më shtrenjtë çdo kilovat orë që harxhojnë mbi fashën 800kh, ndërsa kilovatët e tjerë do të vijojnë t’i paguajnë me çmimin aktual. Vendosja e fashës prej 800 kilovatësh u miratua sot në mbledhjen e Entit Rregullator të Energjisë.
Çmimi i ri që do të paguajnë familjarët që kalojnë fashën 800 kilovat do të jetë 42 lekë kilovati plus Tvsh. Ndërkohë, çmimi për kilovat nën fashën 800 kW do të vijojë të jetë 9.5 lekë kilovati. Nga kjo masë e marrë për kursimin e energjisë nuk do të preket biznesi i vogël, i cili do të vijojë ta paguajë energjinë me çmimin aktual 9.5 lekë kilovat, fasha mbrojtëse.
Më herët KESH ka miratuar tarifat e shitjes së energjisë elektrike për FSHU, duke vendosur që çmimi për energjinë e klientëve familjarë për konsumin mbi 800 kwh/muaj, të jetë 34.3 lekë/Kwh, ndërsa për konsumatorët e tjerë do shitet aq sa tani 2.4 lekë kilovati. Pas kësaj kostoje FSHU kërkoj nga ERE vendosjen e çmimit të ri për konsumatorët familjarët.
“Kërkesa për çmimin e ri për konsumatorët familjar që konsumojnë mbi 800 kilovat orë në muaj vjen si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Vendimi është i domosdoshëm në kushtet e emergjencës së shpallur nga qeveria për furnizimin me energji elektrike. Çmimi mbulon kostot e blerjes së çmimit të energjisë elektrike në tregjet e huaja. Ky vendim përbën interes të lartë publik për të garantuar furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Kërkesa përmbush kushtet ligjore. Vlerësojmë se caktimi i çmimit 42 lekë për kilovat do të mbuloj blerjen e energjisë dhe do të krijojë likuiditet për të importuar. Propozojmë vendosjen e çmimit 42 lekë, për periudhën 1 tetor deri 31 dhjetor 2022”, tha relatori i vendimit.
Ky vendim është i përkohshëm, me një zgjatje afati prej tre muajsh. Në janar të vitit 2023 do merret sërish në shqyrtim në varësi të situatës me energjinë elektrike.
Opozita ka kundërshtuar rritjen e çmimit për fashën mbi 800 kWh. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e pranishme në mbledhjen e ERE tha se me këtë rritje qeveria nuk ka mbrojtur interesat e qytetarëve. Tabaku theksoi se rritja e çmimit është e papërballueshme për xhepat e qytetarëve, prandaj buxheti i shtetit duhej të vijonte të mbronte qytetarët dhe të paguante rritjen e çmimit të energjisë.
SKEMA E FATURËS
Konsumi 850 kilovat
800 kilovat do faturohen 9.5 lekë, ose 7600 lekë
50 kilovat do faturohen 42 lekë, ose 2100 lekë
Pra, për 850 kilovat fatura shkon 9700 lekë pa TVSH, shto 1940 lekë TVSH dhe 100 lekë tarifa e Televizionit, çmimi do jetë 11.740.