Kosova
Kriza në Kosovë/ Baton Haxhiu: Kurti luan kulisa me shtetin, kërkon kohë për pazare

Duke analizuar me kujdes situaten politike dhe krizen insitucionale ne Kosove, Baton Haxhiu shkruan se Levizja Vetëvendosje e kryeministrit ne detyre Albin Kurti, po mundohet ta zhvendosë fajësinë tek opozita, duke pretenduar se mungesa e kompromisit për Kryetarin e Kuvendit është përgjegjësi e tyre. Por në të vërtetë, mungesa e kompromisit është pjesë e një strategjie që i konvenon të gjithëve, sepse dëshirojnë të shtyhet çdo përballje reale me qeverisjen derisa situata të qartësohet ndërkombëtarisht dhe elektoralisht.
“Kosova kësisoj mbetet e ngrirë, pa Kuvend funksional, me një qeveri të dorëhequr, dhe me një klasë politike që mat çdo hap jo per interesin e qytetarëve, por per interesin e vet për zgjedhjet dhe pushtetin. Nuk kërkohet rrugëdalje për shtetin, por kërkohet rrugëdalje për partitë. Nuk kërkohet përgjegjësi, por kërkohet kohë për pazar. Qytetarët nuk janë thjesht spektatorë në këtë lojë, por ata janë viktima. Ndaj, reagimi që kërkohet nuk është një revoltë spontane rrugëve, por një ndërgjegjësim i thellë politik. Një mospranim i këtij teatri, një presion inteligjent mbi klasën politike, dhe një refuzim i status quo-së në çdo hap ku ofrohet mundësia” – ka theksuar Haxhiu, sipas te cilit, nëse kjo krizë kalon pa kosto politike për ata që e projektuan dhe e shfrytëzuan, atëherë nuk do të ketë fund: do të jetë vetëm fillimi i një cikli të ri krizash të projektuara për interesa të ngushta, ku shteti mbetet veç një vegël, jo një qëllim.

