Ekonomi
Kriza po përshpejton reformën në industrinë e veshjeve të Europës
Studimet e Bashkimit Europian parashikojnë se, për shkak të shkëputjes në aktivitetet e tregtisë, prodhimit dhe shitjes me pakicë, të ndjekura nga një krizë e madhe ekonomike, të ardhurat e industrisë së tekstilit dhe veshjeve do të pësojnë rënie 19% në vitin 2020, teksa PBB e Eurozonës pritet të ulet me 9%.
Operatorët europianë të industrisë presin që të ardhurat nga aktiviteti të rriten me rreth + 15% në 2021 dhe të kthehen në nivelet e para krizës vetëm në 2023, duke supozuar një lehtësim progresiv të urgjencës shëndetësore globale dhe mbështetje të konsiderueshme fiskale dhe monetare për ekonominë nga qeveritë.
Përkundër lehtësimit të madh të siguruar nga skemat e ndryshme të mbajtjes së vendeve të punës dhe fondeve të BE, industria e veshjeve ka shkurtuar 8% të vendeve të punës ose rreth 158,000 persona. Parashikohet që 6% të kompanive (rreth 13,000) mund të falimentojnë deri në fund të vitit 2021. Pesha e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, në qarkullimin total të industrisë tekstile, është dy herë më e lartë se mesatarja e sektorit të prodhimit, duke e bërë atë më të prekshme.
Sidoqoftë, analiza e BE-së konfirmon tre faktorë që tregojnë se industria është shumë më elastike dhe konkurruese se sa në vitin 2009.
Së pari, stabilizimi i bilancit tregtar europian të tekstilit dhe veshjeve. Së dyti, rritje dinamike midis segmenteve ku prodhuesit europianë janë më konkurrues dhe së treti, mbështetja publike për industrinë, jo vetëm që mund të lejojë një kthim të prodhuesve në rrugën e tyre të rritjes para krizës. Shanset për të aplikuar normat në përputhje me mjedisin tani janë më të larta. Një industri e “gjelbër” do t’i kushtonte më shumë rëndësi cilësisë sesa sasisë, duke bërë një kthesë nga paradigma e modës së shpejtë që ka punuar kundër interesave më të mira të industrisë prodhuese të Europës.
Konsumi i lartë i veshjeve për frymë vjen me një kosto. Industria në mbarë botën gjeneron rreth 10% të të gjitha emetimeve të gazeve serë. Shembull është Italia, ku interesat e konsumatorëve, shitësve me pakicë dhe prodhuesve kanë lejuar që vendi të ketë një preferencë për veshje më të shtrenjta, me cilësi më të lartë dhe të prodhuara në vend. Përfitimet e zëvendësimit të importit janë të prekshme: Një rënie prej 10% e importeve franceze dhe gjermane të veshjeve do të sillte një rritje 8% të xhiros së prodhuesve europianë të veshjeve. Përpjekjet për të inkurajuar një kalim nga praktikat lineare në ato rrethore të prodhimit mund të japin gjithashtu mundësi të konsiderueshme për bazën e prodhimit vendas.
Nxitja e përdorimit të teknologjive më të fundit do të ishte gjithashtu e dobishme për një industri ku Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme të dominojnë dhe jo domosdoshmërisht mund të përfshihen në programe të shtrenjta R&D. Duke mësuar nga karantina e parë, ku rikuperimi pati vështirësi për shkak të rënies së udhëtimeve ndërkombëtare, mbështetja për zhvillimin e aftësive të tregtisë elektronike do të ndihmonte prodhuesit të rrisin shtrirjen e tyre dhe të zbusin rrezikun.
Industria prodhuese e tekstilit dhe veshjeve të Europës prej rreth 205 miliardë eurosh nuk i ka shpëtuar rënies së madhe ekonomike që ka tronditur botën që nga fillimi i shpërthimit të Covid-19. Deri më tani në fillim të gushtit pandemia ka pasur një ndikim të trefishtë në industri:
Ndikimi u ndie për herë të parë në aktivitetet tregtare pasi Kina hyri në një periudhë bllokimi të zgjatur dhe të rëndë, duke filluar në shkurt. Vendi është një eksportues i madh i fibrave dhe pëlhurave të përdorura nga prodhuesit europianë dhe një destinacion kryesor për eksportuesit europianë të veshjeve.
Prodhimi europian u godit nga masat bllokuese rajonale, të cilat filluan në rajonet kryesore të prodhimit të Breshia dhe Bergamo (Lombardi). Prodhimi arriti nivelin më të ulët, me rënie nga viti në vit që varionin midis -35% Gjermani dhe -78% Itali.
Rajoni gjithashtu dëshmoi një kolaps të kërkesës, me tre industritë (tregjet e eksportit, industritë lokale, shitësit lokalë të veshjeve) që funksiononin me kapacitet të ulët për të shmangur grumbullimin e inventarit dhe për të ruajtur të ardhurat cash. Pika e ulët në shitjet me pakicë ndodhi gjithashtu në prill, me rënie nga viti në vit, që lëkunden midis -65% dhe -90% sipas vendeve.
Duke analizuar të dhënat e përditshme për prodhimin dhe aktivitetin e shitjes me pakicë, BE ka gjetur prova të forta sesi prodhimi në sektorin e tekstilit dhe veshjeve, si dhe shitja me pakicë e tyre do të rikuperohet më vështirë se aktivitete e tjera të prodhimit. Për shkak se tekstilet industriale janë mallra të ndërmjetëm dhe konsumi i tyre është më pak i domosdoshëm në kohë krizash. Për këtë arsye, industria tenton të goditet më shumë gjatë periudhave me rënie ekonomike.
Monitor/