Connect with us

Aktualitet

Kriza/ Shqiptarët, 185 mln euro më shumë në 8 muaj

Familjet shqiptare çdo muaj po shpenzojnë gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e tyre, për të blerë të njëjtat produkte.

Sipas INSTAT, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, ishte 8% në gusht, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po vuante pasojat e piramidave.

Shtrenjtimi më i lartë ishte për ushqimet, me +14% dhe transportin (+19.3%).

Për shkak të peshës së lartë të shpenzimeve për ushqime, familjet janë rënduar në plotësimin e nevojave të tyre jetësore. Rreth 42% e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Europë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.

Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut, me 30.6%, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (29.5%), Mali i Zi (24%.5), Serbia (23.6%)- të dhënat për Kosovën mungojnë. Për Bashkimin Europian-27, kjo peshë është 13%.

Si rrjedhojë, familjet shqiptare duhet të heqin më shumë para për tu ushqyer se të tjerat në rajon e Europë, duke u mbetur më pak për nevoja të tjera, jo të domosdoshme. Ndaj, një rritje e çmimeve të ushqimeve rëndon më shumë buxhetet e familjeve shqiptare.

Në gusht, sipas INSTAT, rritjen më të lartë të çmimeve e shënoi grupi “vajra dhe yndyrna”, me 28.8%; karburantet, m e24.2%; “Qumësht, djathë dhe vezë”, me 22.3%; “bukë dhe drithëra”, me 20.4%; “Sheqer, reçel, mjaltë, shurup, çokollata, dhe ëmbëlsira”, me 15.6%; “Peshku”, me 13.7% dhe “mishi”, me 11.2%. Përveç karburanteve, të gjitha produktet e tjera që janë rritur janë ushqime bazë (shiko grafikun: Ndryshimi vjetore të indeksit sipas Grupeve dhe nëngrupeve kryesore, gusht 2021 dhe gusht 2022).

Rritja e çmimeve të ushqimeve është më e larta të paktën që nga janari i vitit 2007, kur INSTAT raporton të dhënat e detajuara të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve (shiko grafikun: Ndryshimet vjetore të indeksit, Ushqime dhe pije joalkolike, Janar 2007-Gusht 2022)

185 milionë euro më shumë për ushqime

Një familje mesatare me 3.6 persona shpenzonte në muaj rreth 84 mijë lekë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, të INSTAT, të dhënat më të fundit të së cilës i referohen vitit 2020.

Rreth 42% e kësaj shume, apo rreth 35 mijë lekë, një familjeje i duhet për të plotësuar nevojat bazike për ushqim. Në vend janë rreth 769 mijë familje, që mesatarisht shpenzonin në muaj (para rritjes së çmimeve) rreth 27 miliardë lekë (rreth 225 milionë euro) për ushqime.

Që nga janari, kur çmimet e ushqimeve filluan rritjen e shpejtë blerja e ushqimeve po kushton gjithnjë e më shumë, duke kulmuar në gusht, ku ndryshimi vjetor ishte 14%, nga 6.7% në janar (shiko grafikun: Ndryshimi vjetor i grupit “Ushqime dhe pije joalkolike”, gusht 2021-gusht 2022).

Duke filluar që nga janari, familjet shqiptare kanë paguar mesatarisht nga 1.8 miliardë lekë në muaj deri në 3.8 miliardë lekë në muaj më shumë vetëm për ushqimeve, ose në total 22.7 miliardë lekë (185 milionë euro) në 8 muaj, sipas përllogaritjeve të Monitor bazuar në inflacionin e ushqimeve dhe Anketën e Buxhetit të Familjeve (Shiko grafikun: Rritja e çmimeve dhe shpenzimeve për ushqime).

Të ardhurat ndërkohë nuk janë rritur me të njëjtat ritme si çmimet. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2022 (e dhëna e fundit e disponueshme), është 59.242 lekë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë paga është rritur me 5,8 %, ndërkohë që çmimet e ushqimeve u rritën mesatarisht 7.6% për të njëjtën periudhë./MONITOR

Advertisement