Connect with us

Politike

Kryebashkiaku i Tiranës kërkon lirinë, bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Erion Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, të cilat e lanë në burg, duke pranuar kërkesat e SPAK.

Veliaj kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, teksa mësohet se rekursi është dorëzuar nga avokatët përmes postës.

Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa pas një hetimi 1 vjeçar, SPAK i ka ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pas vendimit të Apelit, Erion Veliajt iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, pasi ishte në përgjim dhe zhvilloi telefonata me celularin e një prej efektivëve të Burgjeve, teksa ishte në fugon për t’u transferuar në burg.

Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.

Advertisement