Kosova
Kryekrushku Escobar në dasëm/ Merr pjesë në takimin e Ohrit
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe emisari do të udhëtojë për në Ohër të Maqedonisë së Veriut për ta mbështetur këtë proces”, thanë nga Ambasada amerikane në Shkup.
Në takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, blloku evropian pret që liderët të pajtohen për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka më nevojë për negociata për propozimin dhe shprehën gatishmërinë për të punuar në planin e zbatimit.