Connect with us

Bota

Kryeministri i parë gay i Holandës/ 38 vjeçari Rob Jetten hyn në histori

Lideri centrist i partisë D66 në Holandë, Rob Jetten, 38 vjeç, është në prag të hyrjes në histori si kryeministri më i ri dhe i pari homoseksual i vendit, pas një rezultati të fortë në zgjedhjet e së mërkurës, raportoi agjencia Reuters.

I njohur më parë si ministër i klimës, Jetten e ka ripërpunuar imazhin e tij gjatë fushatës, duke kaluar nga burokrat energjik në një figurë optimiste dhe mobilizuese, me moton e tij “po, ne mundemi”.

Ai arriti të zgjerojë bazën e D66-ës përtej temave tradicionale si arsimi dhe mjedisi, duke hyrë në çështje të nxehta si emigracioni dhe kriza e strehimit – tema që kanë dominuar diskursin publik holandez vitet e fundit.

Në fushatë, Jetten e akuzoi udhëheqësin e ekstremit të djathtë Geert Wilders për “rrëmbimin e identitetit holandez” dhe për përdorimin e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe komunitetit LGBTQ vetëm për të sulmuar myslimanët.

“Është koha që forcat pozitive të fitojnë. Së bashku mund ta mundim Wilders. Jam gati”, shkroi ai në një postim në Instagram ditën e zgjedhjeve.

Sipas exit poll-eve, partia e Jetten është në rrugë për të marrë më shumë vota se çdo forcë tjetër, çka do t’i jepte atij shansin e parë për të formuar koalicionin qeverisës dhe për të marrë drejtimin e qeverisë.

“Rob është pa dyshim një nga politikanët më të talentuar që ka pasur ndonjëherë Holanda”, tha Kajsa Ollongren, ministre e mbrojtjes dhe anëtare e D66. “Nëse fitorja konfirmohet, ai do të kërkojë të bashkojë vendin dhe të përmbysë spiralen negative ku e ka futur Wilders”.

Edhe pse Jetten do të ishte kryeministri i parë homoseksual në historinë e Holandës, orientimi i tij nuk ka qenë në qendër të fushatës.

Holanda është prej kohësh një nga vendet më të përparuara në botë në fushën e të drejtave LGBTQ: në vitin 2001 ajo u bë shteti i parë që legalizoi martesat mes të njëjtës gjini – nën një qeveri ku partia e Jetten luante rol kyç.

Advertisement