Kosova
Kryeministrja serbe në OKB mohon përfshirjen e shtetit të saj në sulmin e Banjskës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, Bërnabiç tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”. “Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë” – tha kryeministrja serbe, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”. Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiç akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia. Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”. Sipas Bërnabiç, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës. Ajo gjithashtu akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.