Connect with us

Shkrime

Kryengritje në bodrumet e PS/ Tradhti, arrestim, përgjim, dhe një dorë e padukshme që tërheq fijet

Erjon Veliajt, “kryengritësit” të qelive të Durrësit i mbaruan fishekët ende pa kaluar as 24 orë nga firma që hodhi në sulm për një ridelegim të guximshëm të kompetencave të kryetarit, nënkryetaren e re e Bashkisë së Tiranës, Sara Goxhaj.

Ky akt, me të cilin zëvëndësonte Anduela Ristanin dhe zmbrapste të preferuarën e kryeministrit ne bashki, Jonida Halilin u duk se kishte si synim t’i vinte një kufi Edi Ramës që tashmë ka marrë nën kontroll institucionin, por përpjekja nuk i zgjati shumë. Veliaj u dorëzua pa kushte dhe me një mesazh në Facebook deklaroi publikisht se i kishte ardhur në mendje një “ide e gabuar”.

“Kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm”  u shpreh Veliaj në një status në Facebook, ku shpall kapitullimin me një gjuhë plot mall e ndjenja për shefin e tij.

Me Ramën,- shkruan Veliaj,- kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje”.

Deklarata tingëllon si një përzierje mes një justifikimi të një kryebashkiaku të penduar para shefit dhe të një pengu të izoluar nga bodrumet e Sigurimit, që është i detyruar të gëlltisë çfarëdo i kanë vënë para.

Lapsi.al raportoi më parë dokumentin e firmosur nga kryebashkiaku në detyrë, ku me një urdhër të firmosur nga burgu, (dokumenti poshtë) Veliaj bëri një përpjekje për të spastruar Bashkinë e Tiranës nga njerëzit e Ramës, duke i vënë kufij pushtetit të kryeministrit.

Dokumenti i firmosur nga Erjon Veliaj nga qelia e burgut, për t'i transferuar kompetencat tek Sara Goxhaj

Në shkresën më lart, me firmë të Erjon Veliajt rezulton se është pezulluar urdhri i datës 14 Shkurt për t’ia transferuar kompetencat nënkryetares Anduela Ristani dhe se ajo zëvendësohet nga Sara Goxhaj, bashkëjetuesja e Alban Dokushit, sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Një ditë më parë, Dokushi ishte thirrur nga SPAK.

Zhvillimet brenda Partisë Socialiste, raportoi Lapsi.al morën ngjyrat e një seriali turk me skenar mafioz: tradhti, puç, arrestime, përgjime, vëzhgime dhe një dorë e padukshme në prapaskenë që tërheq fijet e marionetave, teksa zyrtarë dhe nëpunës kokulur detyrohen të zgjedhin se kujt do t’i binden në bashkinë e Tiranës.

U duk sikur Veliaj, i mbyllur në qelitë e burgut të Durrësit, nën përgjim, pa luksin e kontakteve personale dhe fjalimeve propagandistike, kishte vendosur të mos dorëzohet. Jo përballë armikut në radhët e opozitës, por përballë njeriut që e bëri kryetar bashkie dhe i dha pushtet të pakufishëm: Edi Rama.

Shkresa që acaroi Ramën, shkarkimet në radhët e policisë bashkiake

Rama e kishte menduar ndryshe këtë kapitull dhe nuk priste ndonjë surprizë nga Veliaj para zgjedhjeve të 11 Majit. Sapo “Lali” përfundoi në qeli, ai e trajtoi Bashkinë e Tiranës si një plaçkë lufte të marrë me forcë. Vizitat e shpeshta në zyrat e bashkisë – në errësirë, larg syrit të publikut – ishin një shenjë se ai donte ta kishte nën kontroll bashkinë e Tiranës, këtë qendër financiare me pushtet të pamatë.

Ai vendosi kontakte me drejtorët që gjeti në bashki dhe vendosi që të bashkëpunonte më afër me nënkryetaren Jonida Halili si drejtuese de facto. Por Veliaj, edhe nga qelia, nuk e pranon këtë skenar.

Një burim brenda bashkisë, tha për Lapsi.al se përplasja arriti të degradojë deri në shkarkime masive në policinë bashkiake.

Pas shkresës së Veliajt në Bashki ishin dy nënkryetare që luftonin për fronin dhe përplasja u transferua në policinë bashkiake, ku njëri grup ushtarësh vendosi t’i bindej njerëzve të Veliajt dhe tjetri njerëzve të Ramës. Në këtë situatë Ramë e vendosi diktatin e tij me shkarkime masive dhe urdhra përjashtimi, teksa konstatoi që për herë të parë një nga krijesat e tij më të përulura, po rebelohej.

Këtë të enjte, lufta hyri në një fazë të re. Policia bashkiake mori urdhra të kundërta. Pala që drejtohej nga Rama: mos lejoni Sara Goxhajn të hyjë në Bashki! Pala që i qëndroi besnike Veliajt: Mos lejoni Jonida Halilin të hyjë në Bashki! T

Për 24 orë, pas çdo dere të institucionit, gjendeshin dy palë militantësh që nuk i njihnin më urdhrat e njëri-tjetrit. Një qytet pa kryetar, një administratë në kaos, dhe një kryeministër që po e lëshonin nervat dhe që paralajmëroi se do të shkonte vetë në bashki t’u jepte drejtim punëve.

Veliaj në fundin e tij

Rama ka policinë, ka në anën e tij SPAK-un dhe ka mekanizmat e nevojshëm për ta fundosur përfundimisht krijesën e tij duke e shkarkuar me një VKM. Dhe, për ta bërë më të qartë, SPAK i shtoi kryebashkiakut një akuzë të re për “futjen e sendeve të paligjshme në qeli”, pas episodit kur Veliaj përdori telefonin e një polici në furgonin që e transportonte në gjykatë.

Rezultati? Një Veliaj që tërhiqet me bisht ndër shalë pa kaluar as 24 orë nga firma e tij, me një mesazh të butë dhe plot dashuri për “mikun e tij të shtrenjtë”.

Dhe për ta mbyllur me një prekje melodramatike letrën e tij, kryebashkiaku siguron se marrëdhënia me Ramën “është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë”. Praktiksiht, një histori dashurie më e fortë se intrigat e politikës dhe më e pathyeshme se vendimet e SPAK-ut.

Përfundimi? Veliaj përfundoi duke lexuar rreshtat, me gjasë të shkruar nga zyra e Kryeministrit, duke na treguar se në këtë histori vetmi delegim mund të jetë ai i frikës përballë shefit./ Përgatiti Dorian Kodra Lapsi.al

Advertisement