Connect with us

Kosova

Kryetari i Komunës së Preshevës: Kurti është diktator

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e quajti diktator kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai tha se në momentin kur ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kishte humbur shumicën e saj në asamblenë komunale, Kurti i kishte telefonuar Arifit duke tentuar ti imponojë të tërhiqet nga gara

“Ne normalisht proceset demokratike i vlerësojmë më lartë se ndonjë urdhër i ndonjë diktatori pseudik. Është pak më mirë i veshur, me kravatë e gjuhë ndryshe, por në thelb ka ideologjinë diktatoriale. Në qoftë se dikush e kritikon, Kurti është menjëherë kundër tij. Pas ardhjes tonë në pushtet vitin e kaluar, ka urdhëruar të mos ketë vizita zyrtare në Komunën e Preshevës” – tha Kryetari i Komunës së Preshevës

Shqiprim Arifi po ashtu theksoi se Albin Kurti ka bërë një gabim shumë të madh kur ka qenë debati rreth bashkimit të Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, diskutuar në vitin 2018.

“Kur ish-presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, e ka trajtuar këtë kërkesë në nivel ndërkombëtar, Albin Kurti ka dalë kundër. Jo vetëm kundër me qëndrim, por edhe me një protestë kundër asaj që ne shqiptarët e Luginës së Preshevës e kemi kërkuar qysh prej vitit 1992” – tha Arifi, duke shtuar se “Kurti nuk ka ndjenja ndaj Luginës së Preshevës dhe se krejt këtë çështje ai e sheh matematikë, e përdorë si matematikë dhe si thesar për vota”.

Më tej kryetari i Komunës së Preshevës, dorëzoi këtë të martë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar me akuza për keqpërdorimin e mjeteve të Qeverisë së Kosovës nga ana e Këshillit. Në një deklarim për media, ai tha se me fitoren e tij në Preshevë ka ndryshuar për keq edhe qasja e Qeverisë Kurti ndaj Luginës.

 

Advertisement