Connect with us

Shkrime

Kthimi i Edi Ramës në fushatën (humbëse) të vitit 2011

Nga Alfred Lela 
Në vitin 2011, Edi Rama e shpërfilli fushatën e Partisë Demokratike për bashkinë që ai drejtonte, Tiranën. Kandidati demokrat, Basha, bëri një fushatë të qetë, të pastër, pa fyerje dhe, çka ishte më kryesorja, me një ofertë.

Në fakt, ishte ajo që mund të quhet textbook solution ku sfidanti nuk ka alternativë veçse të kontrastojë me detyrë-mbajtësin. Rama në fillim iu shmang fushatës së PD, duke bredhur lart e poshtë nëpër Shqipëri, edhe pse gara ishte lokale- dhe Tirana zemra e fushatës. Gjërat ndryshuan pas dy javëve të para, kur e kuptoi se po humbiste terren dhe se oferta e kundërshtarit po ngjiste.

Në shumë mënyra, edhe me fushatën e 2025 po ndodh  ashtu. Disa gjëra kanë ndryshuar, por jo shumë. Atëbotë, në 2011, fushatën e drejtonte Sali Berisha dhe në timonin e konsultës ishin amerikanët. Si edhe tani. Rama drejtonte Partinë Socialiste me këshilltarë të huaj të fushatës. Si edhe tani. Gjithashtu e njëjtë është dijenia se Ramën nuk e shpëton asgjë nga fodullëku. Më saktë, kujtohet për dëmet e tij kur është vonë.

Për t’iu kthyer ngjashmërive të dy fushatave në narrativë, duhet thënë se, edhe sot si atëherë, Rama e shpërfilli ofertën e ‘bufit’ si ‘qilim fluturues’. Sali Berisha, në vend të taktikave, çka është ajo që po bën Rama, zgjodhi strategjinë. Sapo doli nga izolimi, që në fjalimin e parë, reshti së foluri për arrestin shtëpiak dhe vu në krye të opozitës me program. Që ato ditë të fillimdhjetorit 2024, filloi të artikulonte një ofertë që bazohej te ekonomia, te paketa e dhembshurisë, dhe sidomos te pensionistët. Po bëhen 6 muaj që shefi i opozitës nuk pran së artikuluari një Shqipëri në tri rrafshe: të të pamundurve që duhen nxjerrë nga pamundësitë; të shtresës së mesme që duhet çliruar nga pengesat, dhe të klasës krijuese/prodhuese që i duhen krijuar kushtet (Made in Albania dhe Shqipëria qendër e TIK).

Edi Rama ka shpalosur vetëm një taktikë: pasaportën europiane. Në rrafsh të filozofisë politike, një mjerim intelektual. Pse? Sepse, ashtu siç në shtëpinë e të varurit nuk flitet për litarin, as në atë të të shpërngulurit nuk flitet për ikjen. Në dekadën e tij, Rama ka certifikuar ikjen e rreth 1 milion frymëve nga toka e tyre, dhe oferta e tij, me pasaportë, është edhe për më shumë ikje, kur duhejt të ishte vetëm për rikthim.

Me këtë qasje Rama e vulos veten si një kryeministër i shkëputur nga traumat e kombit dhe i lidhur fort pas fiksimeve të veta. Pasaporta europiane nuk është platformë zhvillimi e Shqipërisë, është një plojë e Edi Ramës.

Ajo që po ndodh është, megjithatë, kurioze. Edi Rama, që i qesëndisi fillimisht premtimet e Berishës me ‘minimumin jetik’ dhe ‘pensionin minimal’, duke i quajtur rrugë të sigurta drejt falimentit, tani po i përvetëson. Janë të paktën 6 premtime të Berishës të rimarra njëri pas tjetrit nga Rama. Me pak fjalë, ashtu si në 2011, Rama po bie në fushatën e Berishës. Shpërfillja nuk po i pi me ujë. Sërish e ka ‘bufin’ dhe ‘kataklizmën’ në sfond, por është bërë burrë serioz dhe del shëtitje nëpër Shqipëri me tabela e shifra.

Mirë se erdhe në fushatë, z. Rama! Nëse historia përsëritet edhe në diferencën e votave, dhe ti humbet ngushtë, zemërimi do jetë i hidhur, por të paktën një gjë do ketë ndryshuar.

Fshati sabatik nuk do jetë Peza, por Surreli.

Advertisement