Shkrime
Kthimi i shërbimit ushtarak, i domosdoshëm
Nga Ben Andoni
Në ditët e fundit ka pasur një intervistë të Bill Klinton, ish-presidentit të SHBA-së, aq të lidhur me ne për shkakun e Kosovës. Ai, me një ndjenjë të pafshehur faji, tregonte me keqardhje se ishte njeriu që dikur i kishte dalë garant Ukrainës se do ishte e sigurt, nëse do sakrifikonte armët bërthamore. Shpërbërja e BRSS-së e bënte Ukrainën të ishte vendi i tretë me peshën e armatimit bërthamor në botë. 30 vite më vonë kësaj garancie të munguar dhe një Rusie agresive, që e mohoi paktin, erdhën pasojat e trishta të këtij vendimi. Qindra-mijëra të vrarë, miliona të shpërngulur, miliarda dëme materiale. Një luftë që nuk di të mbarojë dhe që e ka tulatur rendin botëror, e ka shpërfillur komplet kontinentin demokratik, kurse SHBA-së po “i zbras” depot e armatimit.
Ky ishte një nga shkaqet e argumentit tonë, por më kryesori është se vende të ndryshme, qoftë dhe në NATO po e marrin në konsideratë kthimin e shërbimit ushtarak. Që do të thotë përballë një bote, ku po ribëhet rendi botëror duhet të përgatitesh për gjithçka. Të paktën, Serbia, një nga vendet tona në Ballkan, që mban fort aleancën strategjike me Rusinë, këtë e ka rreshtuar në planet afatshkurtëra. Kurse, në NATO ka gjithnjë e më shumë artikulime për kthimin e tij. Të fundit ishin letonezët, seriozisht të kërcënuar nga oreksi rus dhe pafuqia e Aleancës.
Pranë nesh, Serbia e ka në planet e veta dhe Ministri i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq e shpreh hapur nevojën që ka vendi i tij për ushtarë dhe, jo më kot, serbët po punojnë, anipse ende s’kanë konkluduar. Kosova përballë këtij realiteti nuk ka qëndruar e ulur, por ndërkohë ka sjellë idenë
e kryeministrit Kurti që shërbimi i detyrueshëm ushtarak të zgjasë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. “Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil”, u shpreh Kurti, në një deklarata para zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Po Shqipëria? Që kur Shqipëria u anëtarësuam në vitin 2008, vendi ka hyrë plotësisht në atë që quhet procesi i profesionalizimit, pas një ligji nga Kuvendi i Shqipërisë për profesionalizimin e ushtrisë, pjesë e reformës së përgjithshme në fushën e mbrojtjes në bashkëpunim me SHBA-të. Deri më tani kryeministri aktual Rama e ka hedhur poshtë, por duket se në një rajon aq të tensionuar, Shqipëria nuk mund të rrijë duarkryq.
Ashtu si Shqipëria, në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2008, vendet ballkanase asokohe, kandidate për t’u anëtarësuar në NATO i paraprinë me heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe krijimin e ushtrive plotësisht profesionale. Sot, megjithë pohimet pozitive, ushtritë ballkanike janë reduktuar shumë, kurse e vetmja veprimtari e tyre luftarake ka qenë në misionet paqeruajtëse nëpër botë dhe sidomos në shërbimet civile në momentet e vështira për vendin. Është e vërtetë se në shërbime të ndryshme ushtarake të detyrueshme ka sektorë të specializuar që merren me komunitetin, me emergjencat civile dhe të tjera dhe kjo e ka ndihmuar Shqipërinë në momentet më të vështira.
Edhe pse ka shumë vende që e kanë hequr shërbimin ushtarak, një grup vendesh konservatore për të e kanë mbajtur, mes tyre dallohen Danimarka, Estonia, Finlanda, Qiproja, Greqia, Austria dhe Zvicra, të cilat jo që nuk e kanë braktisur asnjëherë shërbimin, por edhe e kanë pjesë të krenarisë kombëtare. Në një rast të tillë, Greqia i kërkonte një funksionari të lartë shqiptar të rikthehej të shlyente detyrimet ushtarake në vendin helen.
Por, viti 2014 ishte trandës, kur bota pa se deriku mund të mbaheshin premtimet e Rusisë.
Aneksimi i Krimesë nga Rusia asokohe i bëri disa qeveri evropiane të rikonceptonin rifutjen e shërbimit ushtarak. Afërmendjes që Ukraina që atëherë të kishte shërbimin ushtarak dhe kjo i dha pasojat sot me rezistencën e tyre të jashtëzakonshme ndaj armatës së pamëshirë ruse. Tashmë po i bashkohen dhe vende të tjera nga veriu i kontinentit, kurse në Ballkan duket se është domosdoshmëri me turbullirat e përhershme. Por larg të tjerave, shërbimi ushtrak ka një mision të madh për ushqimin shpirtëror dhe përgatitjen e të rinjve, jeta e të cilëve tashmë rrjesh në një kotësi të madhe, që e sheh në diskurset në rrjetet sociale dhe mbi të gjitha bjeraditen. Më shumë nga të gjitha në dashurinë hipotetike për vlerat e Shqipërisë, ku ushtria mund të jetë nga ushqyesit kryesorë. Dhe, rinia e sotme e ka të nevojshme kalimin e këtij kuti, që të formatohet në shumë aspekte por mbi të gjitha të kuptojë me kontributin e vet, detyrimet ndaj Shqipërisë. Tek e fundit, tashmë kuptohet nga të gjithë që në këtë dekadencë morali… kthimi i shërbimit ushtarak është i domosdoshëm, të paktën në Shqipëri?!