Kosova
Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime, thotë Joseph
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, duke folur për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, tha se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Ai gjithashtu nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç tha, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan.
Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit ai nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.
“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar kurse Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, theksoi Joseph.
Sipas tij, ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë.
Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër – e një aleance me autokratë – që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së drejte ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan?