Connect with us

Aktualitet

‘Kundër mbylljes së TikTok’/ Vdekja e 14 vjeçarit, ja çfarë sugjeron Artan Fuga

Propozimet e qeverisë në përgjigje të fatalitetit të 14-vjeçarit për  kufizimin e përdorimit të botës online nga të miturit e deri në masën drastike për mbylljen e TikTok-ut dhe Snapchat-it e forcimin e mbikëqyrjes me kamera, profesori Artan Fuga nuk i sheh si zgjidhje.

Artan Fuga: “Përgjigja policeske është e gabuar, e dëmshme. Të shtohen kamerat në korridore, po deshët e në WC e shkollave, apo të monitorohet mësimi në klasa, të themi të bëhet një Big Brother, të vihen detektorë metali, të zhduken telefonat nga duart e adoleshentëve. Jo nuk është kjo politika, kjo do ishte politikë represioni!”

Virtualiteti është realiteti i të rinjve për akademikët. Ndaj edukimi për një internet të sigurt është i rëndësishëm dhe jo bllokimi i kësaj hapësire.

Artan Fuga: “Revolta e adoleshentëve ndaj botës së të rriturve është jashtëzakonisht e madhe. Dhe ti i thua që po të mbyll këtë rrjet ku ata komunikojnë? Po mirë po sikur të rinjtë të na thonë po ju mbyll televizionet, po ju mbyll parlamentin… Unë për vete me studentët e mi politikën e kam te hapja e tyre te webi, rrjetet sociale. Pse? Se ti po si përdore këto rrjete sociale për kulturimin e tyre, ti ke braktisur fushën ku ata veprojnë”.

Por profesor Fuga sheh të nevojshëm krijimin e një institucioni të ri ndëshkues për krimet online.

Artan Fuga: “Nuk mjafton policia rrugore, as e doganës, as policia e shtetit, as ajo private. Patjetër duhet të ndërtohet policia kibernetike. Kush ka fjalë dhune, akuzon pa të drejtë, shpif ti shkojë nesër policia… jo ta fus në burg, por të ketë gjoba të rënda!”.

Profesori propozon si domosdoshmëri afrimin e të rinjve me aktivitetet kulturore të detyrueshme që do i largojnë nga dhuna.

Artan Fuga: “E para njëherë të përdorim botën tonë virtuale mirë ne të rriturit. E dyta të hapim botën tonë kulturore ku të rinjtë të gjejnë akses, në art, sport, poezi, biblioteka. Ne po kërkojmë prej 15 vitesh si departament te Ministria e Arsimit të fus edukimin mediatik në shkolla.  Ka të bëjë për të ardhmen e vendit, nuk na dëgjon njeri! Për këtë unë kërkoj kush ka përgjegjësi, të jap dorëheqjen, të ik, të zhduket nga institucionet që ruajnë të mirën publike”.

Advertisement