Connect with us

Kosova

Kur dhe si duhet të hapet ura? Eksperti vjen me këshillë për dialogun dhe raportet me QUINT-in

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adrian Shtuni, tha se ura e Ibrit duhet të hapet, por jo në mënyrë të njëanshme, të imponuar apo demonstrative, por ne koordinim me partnerët dhe sidomos me KFOR-in.

Ai deklaroi se Kosova përballet me masa ndëshkuese të pa merituara që faktikisht duhet të largohen, por ajo nuk duhet të vazhdojë në rrugën e ndëshkimeve dhe pikërisht për këtë duhet që qeveria e Kosovës t’i kthehet koordinimit dhe bashkëpunimit me BE dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Nëse Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, etj., ka vetëm një mënyrë për ta bërë. Nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët dhe mbështetjes së tyre, dhe assesi duke i sfiduar ata.  Bashkëpunimi me partnerët për te arritur njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtar është shumë më i rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës se sa hapja simbolike e një ure apo mbyllja e disa pikave postare në veri. Prandaj duhet një qasje pragmatike e bazuar në logjikën e ftohtë që i jep përparësi synimeve strategjike afatgjata të vendit dhe të popullit dhe jo një qasje përplasëse me sponsorët e gjithçkaje që Kosova ka arritur dhe synon të arrijë” – theksoi Shtuni.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare foli edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij, draftstatuti i përgatitur nga partnerët, duhet të dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse është në përputhje me kushtetutën apo jo.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion kompetent ligjor që mund ta bëjë një vlerësim të tillë. Mos dërgimi për shqyrtim cenon besueshmërinë e qeverisë dhe kjo nuk i shkon në favor vendit.

Advertisement