Connect with us

DOSSIER

Kur prezantova Festivalin e 18-të të Këngës

Nga Uvil Zimi

Ish-folësja e Radio – Televizionit Shqiptar, rrëfen vitet në institucion nga më të rëndësishmit e propagandës dhe informacionit të regjimit komunist të para viteve ’90-të: Si e nisi karrierën duke hapur e mbyllur programet ditore, cili ishte imazhi i televizionit në diktaturë, si i gjenin veshjet dhe kritikat kur dilnin jashtë kornizave. Nga koleget, shoqet e saj “Zonjushat e Mirëmbrëma”, te dashuria e bujshme me portierin e “17Nëntorit”, Gud Tafaj dhe takimi pas një ndeshjeje derby, ku ai kishte pritur penalltinë që i dha trofeun skuadrës.

Ka qenë prilli i 60-ës, kur nga një ndërtesë njëkatëshe në krah të “Rrugës së Kavajës”, bashkë me emisionin e parë historik televiziv, u shfaq edhe një folëse: “Të dashur teleshikues, televizioni eksperimental shqiptar fillon emisionin e tij të parë…..”, ishte fraza mitike me të cilën ajo iu drejtua teleshikuesve të pakët në ato vite.

Dhe nga ajo kohë ka kaluar gati gjysëm shekulli, kur Stoli Beli, një vajzë e re u pa në ekranin shqiptar dhe për dekadat që vijuan ajo do të krijonte ikonën e televizionit kombëtar. Ndonëse në vite, folëset do të ndryshonin, të tjera do ta pasonin Belin, shprehja: “Të dashur telespektatorë mirëmbrëma, po fillojmë transmetimet …..”, do të mbetej unikale e pandarë, e pandryshuar dhe që do ti shoqëronte në karrierën e tyre. “Zonjushat Mirëmbrëma”, të TVSH-së, të cilat i dhanë jetë këtij roli të patjetërsueshëm.

Fytyra të bukura, simpatike, brune e bionde, me një buzëqeshje naturale, me një tingull melodioz, qëndrim karakteristik, me një shqiptim korrekt, kështu kanë mbetur në memorien e publikut televiziv, në komunikimin e tij të drejtpërdrejtë çdo mbrëmje me ekranin e vogël. Mimoza Tafaj, ka qenë njëra prej tyre. Figurë e rëndësishme, protagoniste, kur televizorët bardhezi të markave “Butrinti”, “Dajti”, prodhim të URT-së Durrës (Uzina e Radio-Televizorëve) hapnin e mbyllnim programet TVSH-së, si vetmi kanal në ato vite. Që në momentin e parë të komunikimit, e njoha dhe e kuptova se ishte Moza ajo e dikurshme, njëra nga “Zonjushat Mirëmbrëma”, një zë i bukur, i dashuruar nga publiku televiziv.

Prej kohësh e kërkoja në Tiranë por ishte surprizë kur u informova dhe e gjeta në Amerikë, atje ku jeton prej disa vitesh. E pandryshuar, e bukur si atëherë, e edukuar dhe e sjellshme, nuk hezitoi madje me kënaqësi e pranoi propozimin për t’u rrëfyer, duke treguar me detaje çfarë i kujtohet: Herën e parë në ekran, pastaj punën, jetën intensive televizive, atë familjare, koleget, qëndrimi në Kuvajt dhe transferimi në SHBA-ës. Malli për shoqet, Tiranën, pasioni e nostalgjia për TVSH-në, të cilat i kanë mbetur e nuk i ndahen edhe në ditët e sotme.

Znj. Moza, e mbani mend ditën e parë në ekran? 

Sigurisht. Në televizion kam filluar në vitin 1974, kur isha 17-vjeçe. Violeta Hasani u bë shkak kur më propozoi: “Eja bëj një provë, si del në ekran”. Kaq ka mjaftuar. Isha unë në provë për folëse, natyrisht si e jashtme, Ilir Bibolli e Jani Kondili, për gazetarë lajmesh. Si procedurë, shikohej edhe një herë tjetër, pra duhej pak kohë, deri kur drejtori Marash Hajati dha aprovimin. Ndihmën e parë si folëse ma ka dhënë Osman Mula, ndërsa në ekran kam dalë në marsin e atij viti, me disa koncerte instrumentale në studio.

Aty gjeta Stoli Belin, folësen shumë të njohur, Fatbardha Krajën, Zerina Kuke, Luljeta Notin. Rrija prapa kamerave dhe shikoja si vepronin ato, hapjen mbylljen, qëndrimin, si flisnin. Më kujtohej e nisa me 1 deri 2 herë në javë. Trasmetimi fillonte në orën 18.00 me lajmet e mesditës deri në orën 22 e 30 me ato të fundit. Disa nga emisionet ishin të regjistruara, vetëm ne folëset, lajmet, pra “Revista Televizive” dhe “Koha sot e nesër” me Petrit Lekën, ishin direkt.

Jeni në fillimet e një karriere apo jo?

Kam patur fat edhe pse ndonëse kam qenë shumë e re kur kam filluar. Duke qenë më fat dhe televizioni ka qenë shtëpia e dytë, një eksperiencë e madhe jete. Ishte një grup me të rinj, djem e vajza moshatarë, në harmoni, mësonim nga njëri-tjetri. Më pëlqente të të punoja atje, ndonëse qëndrohej pa orar. Sa herë hyja në studio bashkë me mua ishin kameramanët: Lul Balla, Shpëtim Qatipi, Pajtim Kodra.

Në këtë studio jepeshin edhe lajmet ku shkëmbeheshim me Kiço Fotjadhin, Virgjil Kulen, Tefta Radin, Dhimitër Gjokën, etj. Ndërsa në montazh ndihmën e parë ma ka dhënë Ismail Balla dhe aty kam punuar me gazetarë e operatorë si: Petro Lati, Shkëlqim Alia, Minerva Kumi, Stefan Gajo, Gazmir Shtino, etj. Më të dashura për mua kanë qenë vajzat e montazhit e të arkivës, pa harruar Shejen, pastruesen e studiove që këndonte dhe kishte shumë humor.

Ju, prindërit, shkolla, rinia….? 

Dua të them se prindërit nuk i kam patur pengesë, edhe kur i thashë që do të jem folëse në televizion e pritën me kënaqësi. Isha tip i thjeshtë dhe gjithmonë isha përballë opinionit “sa mirë del në ekran, si ka mundësi” që më thonin shoqet e klasës, shoqëria e shkollës. Ndër prindërit për të cilët më merr malli pasi nuk jetojnë, mamaja ka qenë kritike, ndërsa babai jo. Më kujtohet që kur më thërrisnin: “të ka marrë mami në telefon”, qëndroja me ankth, pasi kritika e parë ishte e saj. “Moza kjo nuk shkon”, apo “Moza sonte ishe mirë”. Çdo njeri përfaqëson vete veten, sidomos për atë që del në ekran, pastaj institucionin. Janë vitet pa publicitet e reklama si sot, dhe një fjalë e mirë kishte vlerë, të jepte kënaqësi.

Nga grimi, tek fama, njerëzit në rrugë…?

E para mbetet Zhaneta Petushi një grua nobël, shoqe dhe mikeshë e imja. Pastaj Edmond Lako, Eleni Toroveli, etj. Me kalimin e kohës, fillova të mësoj duke e bërë vetë grimin dhe në ekran dilja me grim e bërë vetë. Materialet vinin nga Franca, ishin shumë të mira për ne dhe ato të lajmeve.

Gjithçka ishte me plan javor, 2 – 3 herë në javë dhe çdo dalje në ekran kishte rëndësinë e vet, në veçanti ai para dhe pas lajmeve të orës 20-të, që duhej të ishe e saktë, e përqendruar të flisje pa gabime pasi ishte ora e fluksit televiziv që ndiqej, pasi TVSH ishte i vetmi ekran dhe ndiqej masivisht. Folëset njiheshin jo vetëm në Tiranë por, në gjithë vendin dhe ato ishin bërë pjesë e familjeve shqiptare. Sa herë që në rrugë dalloja shikimin e njerëzve, pyesja veten pse më shikojnë, çfarë nuk shkon?

Veshja sa problem ishte? 

Gjatë prezantimit qëndronim në këmbë dhe çdo gjë e kishm të shkruar në letër. Hapej llambushka e kamerës ose kameramani të bënte shenjë me dorë “fillo”. Krahas trukut, problem ishte veshja, pasi ishte e kufizuar e duhej kuruar me kujdes. Kur siguroje veshjen, kishte mbaruar puna. Ndonëse në TVSH ishte garderobë, për të garantuar një veshje pak ndryshe e të pranueshme, mundoheshim të kombinonim gjerat tona, të thjeshta, apo me rrobaqepëset e televizionit, dukë siguruar disa bluza normale. Ai që ndikonte tek ne ndoshta edhe për t’i imituar sadopak ishte televizioni Italian, një dritare për ne në ato vite, ku ndiqnim emisionet, shihnim me kujdes folëset, lajmet, gjithçka.

Keni drejtuar edhe emisione të tjera?

Me ekranin jam lidhur nga marsi i vitit ‘74 deri në vitin 1999, periudha kur jepja lajmet dhe që kam dalë për herë fundit. Si folëse nga vjeshta e ‘74-ës, deri në gushtin e ‘85-ës. Nga Televizioni jam larguar në vitin 2014 dhe në 40-të vite punë në TVSH, 25 vjet i kam në ekran, por në 40-të krahas profesionit si folesë, kam qenë dhe montazhiere, kjo pas lindjes. Gjatë këtyre viteve paralel bëja “Programin javor”, një emision 30-të minutësh, ditën e djelë. Në vitin 1986, fillova atë me muzikë shumë të ndjekur “Nga kënga në këngë”, program muzikor i hartuar sipas kërkesave të telespektatorëve që transmetohej të hënën në mbrëmje.

Nga ekrani u njohët me bashkëshortin?

Gutin e kam njohur përpara, kujtoj që për herë të parë e kam parë në vitet ‘70-të. Më tërhoqi vëmendjen jo për famën, për njohjet që kishte por që ishte veshur bukur, me shije. Jemi lidhur pas tre vitesh, ndërsa unë kisha filluar në TVSH. Kur dilnim në shëtitje bashkë, njerëzit na njihnin, sigurisht Gutin më shumë si sportist, pastaj mua nga ekrani.

Sportin e kam ndjekur, si tifoze e “17 Nëntorit”. Kujtoj se isha e martuar, e po vija në televizion në punë, kur dëgjova një ulërimë të madhe nga stadiumi “Qemal Stafa”: Luante “Dinamo”-“Tirana” finale e Kupës, ishte momenti kur Guti e kishte pritur një penallti e që i dha kupën Tiranës. Kujtoj se në mbrëmje, Guti nuk ishte shumë entuziast, pasi penalltinë e kishte gjuajtur Ilir Përnaska, një miku i ngushtë i tij.

Të qenit folëse, përbënte stres? 

Në punë ndonëse shkoja me biçikletë, asnjëherë nuk jam vonuar, aq më shumë kur kishe lidhje me transmetimi direkt, që ishte një stres më vete, pasi e dije se nuk kishte njeri tjetër të hapë programin, je vetëm ti, dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Janë sekonda, kur je e ndjekur në çdo detaj.

Nga qëndrimi, koka, mënyra e buzëqeshjes, si flet. Është një profesion me karakteristika të veçanta, por ajo më kryesorja mbetet forca aftësia për të qenë në sintoni me publikun, të krijosh një feeling, një kontakt me shikim, duke i transmetuara e krijuar një raport që spektatori të afeksionohet pas zërit dhe fytyrës tënde.

Të bëje lapsus ishte normale, por nuk ndodhte, pasi ishim të kujdesshme. Frazat ishin të caktuara, nuk flisje me fjalët e tuaja e nuk mund të shtoje asgjë tjetër. Tensioni mbaronte në darkë, kur pas prezantimit të programit të ditës së nesërme pastaj me fjalët “..natën e mirë..” përshëndetje teleshikuesit dhe me shpejtësi bashkë me të tjerët, dilnim dhe vraponim për në shtëpi.

Keni prezantuar edhe një festival?

Në vitin 1979, ka qenë Festivali i 18-të i Këngës në Radio-Televizion, bashkë më aktorin Pirro Kita. Kam një detaj të veçantë nga ai festival: Veshja aprovohej më parë, ndërsa natën e fundit, unë përdora një fustan të pa aprovuar, që ishte ishte i veçantë, me një jakë pak të ngritur. Më bënë shumë fjalë, por nuk kishte kohë për ta ndryshuar apo gjetur një tjetër. “Pse e ke veshur, të është aprovuar një tjetër”, – më thonin. Por pas përfundimit më komplimentuan për veshjen.

Kujtoj se kënga fituese ka qenë “Festë ka sot Shqipëria”, me muzikë të Agim Prodanit, tekst të Zhuliana Jorganxhi kënduar nga duetet Zeliha Sina-Liljana Kondakçi dhe Afërdita Laçi. Pirros i dhanë një shpërblim financiar prej 2000 lekë si i jashtëm, ndërsa mua një kuti të Artistikes “Migjeni” si punonjëse e Radio-Televizionit. Edhe në një dokumentar të regjisorit Viktor Gjika, kam kontribuar me një rol modest.

Çfarë kujtoni e që nuk doni të harroni?

Pasi linda djalin shkoj në punë dhe më thonë se duhet të dal në ekran. Bie dakord me shefin e programacionit që të më regjistrojnë paradite që të mos qëndroja në punë. Kjo funksionoi për disa kohë, deri sa një ditë gabimisht, nxjerrin mbylljen e programit, d.m.th., unë them natën e mirë në fillim të transmetimit të programit të ditës. Nuk do ta harroj sepse dukej gabim i imi dhe u bë problem.

Ndërsa tjetrën, nuk ja fal vetes që e refuzova: Vjen Vera Grabocka, regjisore e më thotë që: me urdhër të drejtorit, do të drejtosh një koncert recital, i pari që bëhej tek ne dhe do këndonin dy të mëdhenjtë e muzikë shqiptare, Vaçe Zela e Gaqo Çako. Kur shikoj tekstin që duhet ta përgatisja për dy ditë, jo i thashë nuk e bëj dot. Kur pashë koncertin me këngët më bukura të tyre, ajo përgatitja ime ishte asgjë. Edhe çastet kur para se të jepej seriali ‘David Koperfildi’, çdo të martë në mbrëmje, bëja një përmbledhje të serive të kaluara. Ishin minuta të gjata që komunikoja me publikun.

Si veprohej në ngjarje të veçanta?

Pas përurimit të Pallatit të Kongreseve, do të organizohej Kongresi i 7 i PPSH-së. Brenda mjedisit të tij ishin vendosur disa monitorë dhe prezantimi e programeve e regjistronim aty, atë çfarë unë do të flisja gjatë ditëve të zhvillimit të tij. Ndërsa në rastet mortore, siç ishte momenti kur vdiq Hysni Kapo, jepej vetëm muzikë funebre, lajme rreth ngjarjes dhe për folëset nuk kishte angazhim. Ndërsa kur vdiq Enver Hoxha, kam qenë në spital. Ndryshe në montazh kishte punë intensive. Shumë të rëndësishme në ato vite ka qenë Koncerti i Madh i Vitit të Ri, me grupe të mëdha muzikore që regjistroheshin përpara. Për ne folëset ditët e vitit të ri ishin shumë impenjative, për të qenë sa më mirë në prezantim e në veshje.

Familja, ekrani, fëmijët

Janë dy jetë, apo mënyra të jetuarit kur je në televizion: Ajo brenda tij dhe ajo në familje, pasi kur martohesh është më intensive. Kthimi në shtëpi përbënte habi për fëmijët, nga gruaja e ekranit pak minuta më parë, tani mamaja e tyre. Vajza, kur ishte 5-vjeçe nisur nga grimi i rëndë që bëja më thonte: “Mami, kur vije ti në shtëpi, nuk të njihja, kur pastroheshe, thoja, ja mami im i vërtetë”. Nga fëmijët djali Glendi e nisi si i ati në futboll, por po e vazhdon si mua në televizion.

Ndërsa kujtoj kjo edhe për humor, vjehrrën time, kur për festa, ditëlindje, mblidheshin gratë edhe si zakonisht diskutonin edhe për nuset. Vjehrra ime, pasi i dëgjonte i thoshte: “Nusen më të mirë e kam unë, se ajo i përshëndet të gjitha vjehrrat e Shqipërisë, ndërsa i thotë “mirëmbrëma apo natën e mirë”. Familja e Gutit ka qenë një ndihmë e madhe për mua, sidomos në raste kur kisha ndonjë emision të vështirë, me fëmijët ende të vegjël, kthimi në orët e vona të natës pas regjistrimeve që vazhdonin gjatë, pastaj në punë të nesërmen në mëngjes, pa ndërprerje. Pa ndihmën e tyre do ta kisha të vështirë. Në ekran duhej të paraqiteshe sikur nuk kishe asnjë problem, por nuk ka qenë kështu.

Sa ka ndryshuar sot ky profesion?

Shumë, pasi nuk është më ajo vajza folëse klasike. E ndjej kur shoh kanalet televizive, jo vetëm në Amerikë, por kudo, si ato shtetërore dhe private, sidomos në këto të fundit, ku përzgjedhja ka kritere të tjera mendoj, mundësisht te jetë një foto modele, vajza të reja, me një look shumë modern, me një komunikim më konfidencial dhe më pak institucional, jo tradicional.

Kjo edhe për faktin e një civilizimi elektronik që ka pësuar televizioni. Por, në shumë televizione edhe prestigjioze, figura e folëses është hequr fare, nuk ekziston më, madje në vende me traditë. Por unë kam mbetur tek tradicionalja. Në vitin 1994, ishim në Nju Jork dhe për gjashtë muaj, kam dhënë lajmet shqip një kanal televiziv “Viktoria”, të tre vëllezërve kosovarë Osmani. Ishte një eksperiencë e veçantë.

Dëshironi të ishit sërish një “Zonjushë Mirëmbrëma”?

Me kënaqësi. Kam kujtime të bukura në atë periudhë. Punoja pa pushim dimër, verë, natën e vitit të ri, për festa, etj. Për mua ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme në aspektin profesional. Ecja pa e patur mendjen, këmbët me çonin në Televizion dhe vetëm kur e shikoja veten atje. Sigurisht që do të kthehesha bashkë me Stolin, Bardhën, Lulkën, Zerinën, Besën, Ivën, Manjolën, Vilmën.

Kë do të veçonit nga koleget tuaja, folëse të ekranit?

Fatbardha Kraja është mikesha ime, një jetë në ekran, bashkë e kemi kaluar. Për këto arsye, të paktën për një çast si në ato vite, do të riktheheshim sërish. Ruajmë miqësitë, pasi ekrani na bëri të njohura, të dashura jo vetëm nga publiku por edhe me njëra tjetrën. Më ka marrë malli dhe e kujtoj me nostalgji atë minutë plot emocion kur para kamerave, ishe ti dhe përballë qëndronte teleshikuesi. Edhe për një gjë tjetër: Pas transmetimit, më priste Guti. Shëtisnim në rrugët e boshatisura, të qeta, në ato net të mbrëmjeve, kur të dukej sikur ishe vetëm ti e askush tjetër.

Nga Kuvajti……në SHBA?

Në Kuvajt, qëndrova vetëm një vit, duke shoqëruar Gutin, që ishte në stafin teknik te ekipit të Xharrës, bashkë me trajnerët Skënder Gega e Ilir Biturku, si dhe familjet e tyre. Për mua ka qenë dhe mbetet një vit i mrekullueshëm, një eksperiencë ndryshe. Një vend me zakone dhe pamje tërheqëse. Në Kuvajt ishin rreth 100 shqiptarë dhe Salmija, ishte qyteti më i bukur ku jetonin shumë të huaj. Pastaj transferimi në SHBA-ës.

Janë vite, një pjesë tjetër e jetës kjo që e ndaj midis Shqipërisë dhe Amerikës. Jetoj me vajzën në shtetin Oregon, qyteti Portland, nga krahu i Paqësorit. Një vend pa shqiptarë, qëndroj pak me shoqërinë e vajzës që, habiten kur mësojnë se kam punuar në televizion. Jam gjyshe, me nipër e mbesa dhe kemi kënaqësinë të rrimë afër atyre. Por, Tiranën, Televizionin, e kujtoj me nostalgji, me marr malli, pasi jam larg nga miqtë, nga gjithçka, edhe pse shkoj e vij sistematikisht në Shqipëri”.

Në mbyllje të kësaj interviste me znj. Moza Tafaj, kujtojmë se në historinë e Radio-Televizionit Shqiptar, në këtë rol kanë qenë vetëm vajza, gra, të gjitha protagoniste të “Zonjushave Mirëmbrëma”. Por, bashkë me vitet, diçka ka ndryshuar. Nuk dëgjojmë më të shqiptohet fraza gjysmëshekullore “Mirëmbrëma të dashur teleshikues” – tashmë e modernizuar në: “…Të nderuar Zonja e Zotërinj….”! Bashkë me përshëndetjen e paharruar mbyllëse: “Të dashur telespektatorë, natën e mirë…..”, edhe kjo nuk ekziston dhe nuk dëgjohet më!/Memorie.al

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *