Shkrime
Kur publiku shpërblen antiheroin
Nga Nju Jorku, Marko Caka
Pa asnjë diskutim, ky është BB VIP më i fortë që është parë ndonjëherë. Këtë herë kemi vërtet versionin origjinal të eksperimentit social, ashtu siç është konceptuar në thelb, pra një pasqyrë e shoqërisë reale, me të gjitha ngjyrat e saj, pa përjashtime dhe pa kozmetikë morale.
Shoqëria sot nuk është homogjene dhe as ideale. Ajo përbëhet nga të gjithë, nga i miri, i keqi, i buti, i ashpëri, empatikët dhe brutalët. Nëse i përjashtojmë këto kategori nga një format që pretendon të na tregojë se kush jemi, atëherë BB humbet kuptimin e tij. Ne nuk e kuptojmë veten duke parë vetëm atë që na pëlqen, por edhe atë që na shqetëson, na bezdis dhe na vë përballë kufijve tanë moralë.
Edhe personazhi që konsiderohet “më brutal” është pjesë e jetës sonë të përditshme, sado që shpesh refuzojmë ta pranojmë. Në realitet, shumë prej nesh kërkojnë ndihmë tek psikologu për të mësuar si të përballen me njeriun që u ka vështirësuar jetën. BB thjesht e përqendron këtë përvojë në një hapësirë të mbyllur, ku reagimet nuk mund të shmangen. Pyetja thelbësore është- si reagojmë ndaj të mirës dhe ndaj të keqes?
Natyrshëm, publiku anon nga heroi pozitiv. Por as filmi, as jeta reale, nuk funksionojnë pa elementin negativ. Drama pa konflikt nuk ekziston. Pastaj, se kush e luan më mirë rolin, kjo është një aftësi më vete. Verdikti final nuk vjen nga banorët, por nga publiku, i cili vendos sa i nevojshëm është elementi negativ për ekuilibrin e lojës.
Nëse shoqërisë sonë i veshim vetëm rrobat që na pëlqejnë dhe jo ato që realisht i përkasin, atëherë thjesht po mashtrojmë veten. Formula e ideatorëve të BB nuk ekziston pa këtë dualitet. Sepse jeta kolektive është një përzierje e vazhdueshme e të mirës dhe të keqes. Edhe pse në reality show një banor mund të zgjedhë vetë një “rol”, ai nuk është aktor filmi me skenar të shkruar. BB nuk është kinematografi, por është realitet spontan, i paparashikueshëm. Banorët nuk drejtohen nga jashtë, por ata veprojnë sipas strategjisë së tyre, instinktit dhe karakterit real. Pikërisht këtu qëndron vështirësia sesa është shumë e vështirë të luash gjatë një personazh që nuk përputhet me natyrën tënde reale.
Për këtë arsye, ky edicion është më i fortë edhe krahasuar me kohën e Luiz Ejllit, i cili e dominoi lojën nga fillimi deri në fund, pa pasur një kundërshtar të fortë negativ. Madje, ai u detyrua të mbante njëkohësisht edhe rolin e pozitiv dhe të konfliktualit, për t’i dhënë dinamikë shtëpisë.
Ndërsa tani, A-ja dhe Zh-ja i BB VIP 5 është Rogerti. Banori që ka zgjedhur hapur të ndërtojë personazhin negativ dhe që, përmes gravitetit të tij, ka tërhequr të gjithë lojën rreth vetes. Dominimi këtë herë nuk vjen nga heroi pozitiv, por nga heroi negativ.
Ai vepron me një ftohtësi kalkuluese, nuk kursen askënd që nuk është në orbitën e tij dhe nuk joshet nga komplimentet fallco. Ai i njeh dhe i lexon ato. Ka gjetur mënyrën e tij të sjelljes dhe, deri tani, po rezulton e suksesshme.
Prandaj, edhe në këtë Big Brother VIP Albania 5, nuk do të ishte aspak çudi që publiku të zgjedhë si fitues personazhin negativ. Sepse edhe kjo është një meritë loje, aftësia për të mbajtur gjallë interesin, për të krijuar tension dhe për të argëtuar audiencën. Në fund të fundit, BB është një spektakël dhe publiku shpërblen atë që e mban të lidhur pas ekranit.
Ashtu si në kinematografi, ku Akademia e Oskareve ka shpërblyer jo rrallë edhe role negative të interpretuara mjeshtërisht, pse të mos ndodhë e njëjta gjë edhe në BB? Pse fituesi të mos jetë një personazh i tillë, kur ai ka ditur të ndërtojë narrativën e tij, të mbajë peshën e konfliktit dhe të drejtojë dinamikën e lojës?
Sepse, në thelb, të luash bindshëm rolin e “të keqit” në një reality show, pa skenar, pa prerje dhe pa mbrojtje, kërkon po aq talent, zgjuarsi dhe vetëkontroll sa të jesh heroi pozitiv. Dhe kjo, pa diskutim, është një zotësi që meriton të njihet.
Sepse në fund të fundit, BB është një show argëtues. Dhe audienca, ashtu si në kinematografi, argëtohet më shumë kur brenda skenarit ekziston edhe ai që shkon kundër rrjedhës. Sepse kështu është jeta jonë, bardh e zi. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe nuk është moralizim, por është vetëmashtrim.