Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj ndërhyrjeve të Serbisë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Ai ka theksuar se ndërhyrja serbe në zgjedhjet e fundit është zhvilluar në forma të ndryshme, duke përfshirë kërcënime hibride dhe shantazhe financiare.

“Serbia është duke mbajtur peng zhvillimin e brendshëm politik të Kosovës, si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, ndërhyrjet kanë ndryshuar si rezultat i përmirësimit të sigurisë në katër komunat veriore, ku nuk ka më mundësi për ndërhyrje brutale fizike siç ndodhi në të kaluarën”, tha Kurti.

Ai përmendi se Serbia ka përdorur forma të tjera të kërcënimeve, duke përfshirë joshjen dhe kushtëzimin financiar, shantazhin dhe sulmet kibernetike. “Kemi pasur informacion dhe dëshmi se disa parti politike serbe janë tërhequr nga gara për shkak të kërcënimeve që kanë marrë. Pjesë e këtyre kërcënimeve janë edhe votuesit e komunitetit serb dhe grupeve të tjera, si romët dhe ashkaliët,” shtoi Kurti.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë prova për shumicën e këtyre ndërhyrjeve, por për arsye të sigurisë dhe privatësisë së qytetarëve serbë, ato do të mbeten të papublikuara. Kryeministri theksoi se vetë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka inkurajuar aktorët shtetërorë dhe jashtë shtetërorë serbë të përfshihen në zgjedhjet e Kosovës, duke përmendur rolin e Milan Radoiçiq, që është një personazh i njohur për lidhjet me grupe të dhunshme dhe të dhunshme të Serbisë, shkruajnë mediet e Kosovës.

“Kemi identifikuar shtatë aktorë shtetëror e joshtetëror të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, i dyti kryeterrorisiti Milan Radoiçiq, Petar Petkoviq, BIA serbe, mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd, Lista Serbe dhe struktura ilegale përfshirë këtu: Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, Telekomi i Serbisë dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Kurti.

Kurti përmendi gjithashtu se Serbia ka përdorur një gamë të gjerë metodash për të penguar zgjedhjet, duke përfshirë kushtëzime financiare, shantazhe dhe manipulime të votuesve. “Janë përdorur të paktën dhjetë metoda: joshja financiare përmes përfitimit dhe mbështetjes financiare prej 20 mijë dinarësh apo rreth 170 euro në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë. E dyta: kushtëzimi financiar përmes rrezikimit të humbjes së benificioneve financiare ku bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë etj

E treta: përçarja e rivalëve të Listës Serbe, e katërta: shantazhi e presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet tjera përveç Listës Serbe. E pesta: kërcënimi për tu larguar nga këshillat e vendvotimeve, e gjashta: regjistrimi i të ashtuquajturve votues të sigurtë. E shtata: transporti i organizuar i votuesve nga Serbia në Kosovë, e teta: organizimi i votimit kolektiv në qendra votimi, e nënta: kontrollimi i votuesve në ditën e zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit dhe e dhjeta është shenjëzimi i fletëvotimeve”, tha Kurti.

Kurti tha se ndërhyrja e Serbisë është realizuar në tri faza: para fushatës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve. Ky reagim i Kurtit vjen pas dyshimeve të vazhdueshme dhe raportimeve të shumta për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, për të ndikuar në rezultatet e tyre dhe për të minuar integritetin e procesit demokratik në vend.