Connect with us

Kosova

Kurti: Deklarimet luftënxitëse të Vuçiçit duhet të dënohen ashpër nga SHBA-ja dhe BE-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë hapur kundër deklaratave të fundit kërcënuese të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke potencuar se retorika e Vuçiç është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe reflektim i qartë i qëndrimit të Serbisë ndaj procesit të paqes dhe marrëdhënieve me Kosovën.

“Në një rast të mëparshëm, Vuçiç ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes”- theksoi Kurti.

Kreu i Qeverisë është shprehur gjithashtu se Serbia vazhdon të deklarojë publikisht mosnjohjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, një qëndrim që u bë veçanërisht i dukshëm më 26 tetor gjatë takimeve me liderë të Bashkimit Evropian në Bruksel ku Vuçiç refuzoi sërish nënshkrimin e marrëveshjeve.  Pavarësisht se kërcënimet dhe retorika e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë asgjë e re, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që ato të mos konsiderohen si diçka e rëndomtë apo dhe të lejohen të bëhen pjesë e retorikës së përditshme.

Ai ka bërë apel për vigjilencë të lartë dhe dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe të tjerët. Kurti e ka përshkruar Vuçiçin si “peng i së kaluarës dhe si një i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohën mbrapa,” dhe paralajmëroi se “shpresat e rrezikshme në metodat e së kaluarës si zgjidhje për të ardhmen” nuk duhet të merren lehtë nga asnjë në Kosovë dhe as nga Bashkësia Ndërkombëtare e NATO.

Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shprehur se deklarata të tilla tregojnë që presidenti aktual serb vazhdon të funksionoj me mendësinë e Sllobodan Millosheviçit, duke e pasur mendjen tek zaptimi i territoreve, pa u shqetësuar fare për liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Ai po shpërfaqë një fakt shumë të rëndësishëm, që ai është vazhdimësi e mendësisë së Millosheviçit, i cili kërkon territore dhe asnjëherë nuk i intereson për të drejtat dhe liritë e njerëzve”, ka thënë presidentja Osmani.

Advertisement