Connect with us

Kosova

Kurti doli nga palltoja e Demaçit/ Petkoviç sulmon kryeministrin e Kosovës

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka bërë të ditur se obsesioni i kryeministrit të Albin Kurti me presidentin Aleksandër Vuçiç është patologjik dhe pas tij, qëndron frika e një separatisti të vogël ndaj Serbisë së suksesshme dhe presidentit të saj, i cili dëshmon çdo ditë se me një politikë të mençur, me përgjegjësi dhe punë, mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

“Separatistët shqiptarë nuk mund të gjenin një kundërshtar më të vështirë dhe sfidues, sepse jeta dhe misioni politik i Vuçicit është një Serbi e suksesshme – dhe ky është makth për separatistët shqiptarë dhe për të gjithë gjuetarët e tjerë politikë ballkanikë që ngrejnë kurthe në errësirë. Deri në fund të karrierës së tij, Kurti do të jetë vetëm një fantazmë që doli nga palltoja e Adem Demaçit, asgjë më shumë se një grindavec i egër. Dhe është e kuptueshme që si njeri që është i vetëdijshëm se kurrë nuk do t’i përmbushë ambiciet e tij, vazhdimisht shikon me zili Beogradin dhe Presidentin Vuçië” – ka thënë Petkoviç lidhur me deklaratën e Kurtit se “Serbia është e zemëruar dhe agresive”.

Ai shton se frika nga një Serbi e suksesshme është lajtmotivi kryesor i politikës së Kurtit, gjë që ai e pranon hapur.

“Përpjekja e vazhdueshme e Ajbin Kurtit për të kërkuar arsye dhe justifikime në Beograd për militarizimin e Kosovës dhe rrezikimin sistematik të sigurisë dhe të drejtave të popullit serb, është e pakuptimtë dhe cinike, sepse është e qartë për të gjithë se regjimi i Kurtit dhe ideologjia e urrejtjes janë kërcënimi i vetëm dhe kryesor për stabilitetin. Edhe sponsorët e separatistëve të Prishtinës nuk besojnë në përrallat e Kurtit për një Serbi të zemëruar dhe agresive, sepse Serbia me rezultate politike dhe ekonomike ka treguar se është vend i suksesshëm dhe bosht i progresit të gjithë rajonit” – ka theksuar Petkoviç

Sipas tij, ajo që Kurti dhe bashkëmendimtarët e tij ideologjikë po i bëjnë popullit serb në Kosovë buron nga shovinizmi dhe urrejtja e paprovokuar, të cilës Beogradi nuk i është përgjigjur kurrë me urrejtje dhe kërcënime, por vetëm në mënyrë të përmbajtur dhe të përgjegjshme, duke shuar me këmbëngulje zjarret që Kurti kërkon të ndezë.

“Sot jetojmë në një kohë kur popujt e rajonit tonë përpiqen për bashkëpunim dhe duan prosperitet dhe një të ardhme të parashikueshme dhe e vetmja pengesë për ndërtimin e një rajoni të tillë është pikërisht Albin Kurti dhe ndikimi i tij malinj politik” – potencoi Petar Petkoviç

Advertisement