Kosova
Kurti: Drafti i asociacionit është pakrahasimisht i avancuar por kemi kritika
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ka dërguar vërejte për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor, por gjithashtu shtoi se drafti i modernizuar për Asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.
“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjet dhe kritikat e mija. Ato janë shumë të rëndësishme dhe ia kam përcjellur emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takoheshim në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, prandaj unë kam dërguar vërejtjet e mia” – theksoi Kurti.
Ndërkohë është raportuar se kreu I qeverisë së Kosovës do ketë takime me liderët e partive shqiptare nga Lugina e Preshevës, por Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi ka deklaruar se atij nuk I ka ardhur ndonjë ftesë dhe është mënjanuar nga Kurti.
Ka kohë që Arifi nuk ka raporte të mira me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, ndaj të cilit ka drejtuar akuza për përçarje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sië është raportuar, takimi me liderët e partive shqiptare nga Lugina bëhet për t’iu kërkuar atyre bashkim në një listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.
Arifi paraprakisht ka kërkur që përfaqësuesit shqiptarë në Luginë të bëhen bashkë dhe të mos shkojnë në zgjedhje me dy lista, sikurse herën e fundit. Në vitin 2020, përfaqësuesit e partive politike shqiptare garuan për herë të parë në një listë të përbashkët zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë atë vit.